Dr. Faton Sermaxhaj është specialist i onkologjisë në Institutin e Onkologjisë në QKUK.
Ai ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2005, ndërsa ka specializuar në onkologji në vitin 2012. Aktualisht është në përfundim të studimeve të doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Zagrebit (Kroaci).
Sermaxhaj është i angazhuar si mjek specialist në Klinikën e Onkologjisë dhe si asistent në lëndën e Onkologjisë Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë. Më poshtë mund të lexoni një intervistë me mjekun në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës” në Gazetën Shneta, për sëmundjet e kancerit, veçanërisht për atë të mushkërive si patologjia që merr më së shumti jetë.
Sa raste të reja me sëmundje të kancerit janë regjistruar këtë vit dhe cilat lloje?
Deri në muajin Nëntor të këtij viti, në Klinikën e Onkologjisë janë evidentuar gjithsejtë 1511 raste të reja ma kancer. Me numrin më të madh të rasteve të reja prin karcinoma e gjirit me 383 raste, Karcinoma e mushkërisë me 191 raste, pastaj karcinomat e traktit gastrointestinal me 350 raste, karcinomat e traktit urogjenital dhe ato gjinekologjike me 380 raste si dhe karcinomat e kokës dhe qafës, indeve të buta, të sistemit nervor qëndror dhe të tjera, me 207 raste.
Si trajtohen rastet me kancer në Onkologji? A bëhet trajtimi përmes udhërrëfyesve dhe protokolleve? Cilat janë sfidat por edhe të arriturat e onkologjisë në Kosovë?
Pacientët të cilët janë të diagnostikuar më cfarëdo lloj karcinome dhe që vijn për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë, fillimisht vizitohen nga ana e konziliumit mjekësorë të përbërë nga onkologët dhe specialistët e lëmive relevante (varësisht nga lloji i tumorit) dhe me këtë rast vendoset plani i trajtimit të mëtutjeshëm të pacientit.
Pacientët të cilët tashmë janë të operuar vlerësohen për nevojën e trajtimit të mëtutjeshëm me terapi adjuvante (kimioterapi, radioterapi, imunoterapi, terapi endokrine, terapi e cakut), ndërsa pacientët të cilët nuk janë të operuar udhëzohen për intervenim kirurgjik ose trajtim neoadjuvant, varësisht nga indikacionet dhe kjo gjithëmonë duke u bazuar në udhëzuesit dhe protokolet bashkëkohore të cilat përdoren në gjithë botën.
Në klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, ofrohen shërbimet onkologjike si: kimioterapia, radioterapia, brakiterapia, terapia e cakut, imunoterapia, terapia endokrine. Poashtu, ofrohet shërbimi 24 orë. Duke vërejtur një rritje progresive të numrit të rasteve të reja me kancer në vitet e fundit si dhe pacientët të cilët tashmë me vite janë duke u trajtuar në klinikën tonë, sfidë mbetet mungesa e hapësirave të mjaftueshmë për trajtimin e këtyre pacientëve. Poashtu, shtimi i numrit të stafit infermieror do të lehtësonte punën në klinikë.
Viteve të fundit terapia konvencionale (kimioterapia) ka filluar gradualisht të zëvendësohet me Imunoterapi dhe terapi të cakut, apo thënë ndryshe, terapi e përsonalizuar e cila bartë në vehte një kosto shumë të lartë financiare e që kjo është dhe do të jetë një sfidë në vitet e ardhshme. Problem në vehte mbetet edhe çështja e trajtimit paliativ të pacientëve në fazën terminale, meqë për këta pacientë nuk ekziston një institucion i caktuar ku do të trajtoheshin, por të njejtit trajtohen në forma të ndryshme, nëpër klinika të ndryshme dhe në mënyrë ambulantore nëpër shtëpitë e tyre.
Meqë çdo vit dominojnë rastet me kancer të mushkërive, sa është shqetësuese kjo situatë? Nga përvoja juaj me pacientë, a është ulur edhe mosha e të prekurve? Cilët janë faktorët e rrezikut tek kanceri i mushkërive dhe a mund të parandalohen? Cilat janë këshillat e juaja për qytetarët që të kujdesen për shëndetin e tyre për të evituar sëmundje të kancerit, poashtu çfarë duhet të bëjnë për diagnostikimin e hershëm?
Kanceri i mushkërisë për nga shpeshtësia e paraqitjes zë vendin e dytë tek meshkujt, pas karcinomës së prostatës, ndërsa për nga vdekshmëria zë vendin e parë prej të gjitha tumoreve tek meshkujt. Është sëmundje e cila karakterizon moshat e shtyera, pra incidenca më e lartë është rreth moshës 70 vjecare, por paraqitet edhe në mosha më të reja.
Para 3-4 dekadave ka qenë sëmundje që ka prekur në një përqindje më të madhe meshkujt, por kohëve të fundit për shkak të konsumimit të duhanit nga ana e femrave, pothuajse është barazuar, me një dominim të lehtë tek meshkujt. Është vërtetuar se pirja aktive e duhanit lidhet me paraqitjen e karcinomës së mushkërisë në rreth 80-90% të rasteve, varësisht nga nëntipet e tumorit, ndërsa pirja pasive ndikon në rreth 30% të rasteve.
Si faktorë tjerë të rrezikut paraqiten: ekspozimi ndaj Azbestit, ekspozimi ndaj pluhurit radioaktiv dhe gazrat e Radonit. Karcinoma e mushkërisë në përgjithësi nuk ka prognozë të mirë, vetëm rreth 15% e pacientëve arrijnë mbijetesën 5 vjecare. Prognoza e pacientit varet shumë nga tipi i tumorit dhe stadi i sëmundjes në momentin e diagostikimit. Në rast të zbulimit të sëmundjes në stade të hershme, kur është i mundur intervenimi kirurgjikal dhe mandej trajtimi adjuvant me kimioterapi dhe radioterapi, mundësohet një jetëgjatësi më e madhe për pacientin, ndërsa kur sëmundja zbulohet në stade lokalisht të avancuara ose metastatike (këto përbëjnë pjesën dërmuese të rasteve tek ne), atëherë nuk mund të flasim për prognozë të mirë dhe jetëgjatësi të madhe.
Pra, zbulimi në stade të hershme ka rëndësi të madhe në trajtimin e këtyre pacientëve dhe prognozën e tyre. Andaj, duhet bërë kontrolla e menjëhershme tek mjeku në momentin e paraqitjes së shenjave si: kollitje e thatë e cila zgjatë, dispnea dhe hemoptizia, dhimbje e supit dhe krahut, ngjirja e zerit, me qëllim të diagnostikimit apo përjashtimit të kancerit të mushkërisë.
Rëndësi të madhe ka edhe stili i jetës. Pra, të ushqyerit e shëndetshëm, aktivitet i mjaftueshëm fizik, mos konsumimi i duhanit, alkoolit, zvogëlojnë mundësinë e paraqitjes së tumoreve të mushkërisë. /Gazeta Shneta/