Në rubrikën “Mjeku i Javës” në Gazetën Shneta kësaj radhe vjen Specialisti i Neurologjisë në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, Argjend Shala, i cili na informon më shumë rreth hemoragjisë cerebrale, pasojave të sulmit në tru, shkaqeve dhe moshave më të prekura.
Dr. Argjend Shala është mjek specialist me përvojë në diagnostikim dhe trajtim të sëmundjeve neurologjike. Ai është gjithashtu mjek në klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Goditja në tru është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve dhe shkaku kryesor i paaftësisë së të rriturve. Një goditje në tru është një ndërprerje e furnizimit me gjak në çdo pjesë të trurit. Ai quhet gjithashtu një sulm në tru. Një goditje në tru mund të shkaktojë dëmtime të qëndrueshme të trurit, paaftësi afatgjatë, apo edhe vdekje.
Hemoragjia cerebrale dhe shenjat paralajmëruese?
Dr. Shala: Në kuadër të insultit cerebrovaskular apo “goditjës, sulmit” në tru hyjnë: infarkti trunor, gjakderdhja brendatrunore dhe gjakderdhja subaraknoidale spontane. Infarkti trunor është nekrozë (vdekje) e indit trunor si pasojë e ndërprerjes së qarkullimit të gjakut në një zonë të trurit, e cila ndërprerje vjen nga mbyllja e enës së gjakut që e furnizon me gjak atë zonë trunore.
Gjakderdhja brendatrunore nënkupton daljen e gjakut prej shtratit vaskular (enëve të gjakut) dhe derdhjen e tij në indin trunor. Ndërsa, gjakderdhja subaraknoidale është prania e gjakut në hapësirën subaraknoidale, e cila është një hapësirë në mes të strukturave mbështjellëse të trurit.
Këto gjendje patologjike shfaqen shpejtë, mund të themi befasisht, pa ndonjë shenjë relevante paralajmëruese. Në disa raste shfaqet i ashtuquajturi ataku iskemik tranzitor, i cili është një gjendje patologjike trunore, por i cili kalon dhe tërhiqet plotësisht brenda 24 orëve. Ky lloj ataku mund të jetë paralajmërues që në një të ardhme jo të largët mund të shfaqet një insult, “goditje apo sulm” trunor i zhvilluar.
Cilët janë shkaktarët kryesore të sulmit në tru?
Dr. Shala: Ekzistojnë faktorë rreziku për t’u shfaqur insultet cerebrovaskulare, si: hipertensioni arterial, diabeti, konsumimi i duhanit, çrregullimet e ritmit të zemrës, obeziteti, konsumimi i alkoolit, konsumimi i drogës, trashegimia, mungesa e aktivitetit fizik, niveli i lartë i yndyrës në gjak etj. Përveç këtyre, shkaktarë të shfaqjes së gjakderdhjeve trunore mund të jenë edhe çrregullimet e faktorëve të koagulimit të gjakut, tumoret e trurit, përdorimi i barnave antikoagulante, çrregullimet dhe anomalitë e murit të enëve të gjakut etj.
Simptomat e sulmit?
Dr. Shala: Siç u tha edhe më lartë, shenjat dhe simptomat shfaqen shpejtë, me dobësim të njëanshëm trupor, çrregullim apo humbje të të folurit, çrregullim shikimi, çrregullim vetëdije, kokëdhembje, vjellje, etj.
Çfarë pasoja shkakton goditja në tru?
Dr. Shala: Insultet cerebrovaskulare janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë dhe janë shkaktari kryesor i invaliditetit tek personat e moshuar. Pra, edhe pacientët që kanë fatin dhe i mbijetojnë “goditjeve” trunore, pjesa më e madhe e tyre mbesin me shkallë të ndryshme invaliditeti, si: paraliza, çrregullim apo humbje e të folurit etj.
Si parandalohet?
Dr. Shala: Në kuadër të masave parandaluese hyjnë menaxhimi i duhur i të gjithë atyre faktorëve të rrezikut që u përmendën me lartë dhe të cilët janë të modifikueshëm, si mbajtja në kontrollë e tensionit arterial, diabetit, ndërprerja e konsumimit të duhanit, aktiviteti i rregullt fizik, përdorimi i barnave për çrregullimet e ritmit të zemrës, humbja e peshës tek obeziteti, përdorimi barnave që pengojnë mpiksjën e gjakut dhe ato për nivelin e lartë të yndyrës në gjak kur janë të nevojshme etj.
Cilat janë metodat e trajtimit invazive dhe terapeutike?
Dr. Shala: Trajtimi i fazës akute te infakti trunor përfshinë terapinë rekanalizuese: tromboliza apo/dhe trombektomia mekanike. Qëllimi i këtij trajtimi është debllokimi i enës së gjakut. Terapia tjetër është konzervative/medikamentoze dhe fizikale. Te gjakdedhjet trunore trajtimi bëhet edhe me terapi që pengojnë edemën (enjtjën trunore), si dhe në rastet kur identifikohet shkaku i drejtpërdrejtë i gjakderdhjes, trajtimi i tij, si bije fjala trajtimi i tumorit, trajtimi i anomalive të enëve të gjakut, i çrregullimeve të koagulimit të gjakut etj.
Moshat më të prekura?
Dr. Shala: Moshat më të prekura janë moshat mbi 65 vjeç, incidenca rritet me moshën, pra sa më e madhe mosha, mundësia për t’u prekë nga këto sëmundje rritet. Por, sëmundja shfaqet edhe në moshat e reja.
/Gazeta Shneta/