Në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, këtë herë sjellim një intervistë me specialisten e biokimisë Dr. Arieta Nuhiu, e cila shpjegon se kur rekomandohen kontrollet laboratorike për personat e shëndetshëm, cilat analiza konsiderohen bazë, si ndikojnë faktorët e përditshëm në rezultate dhe kur nevojiten teste më të avancuara.
Intervista e plotë:
Shneta: Sa shpesh rekomandohet të bëhen analizat bazë laboratorike për një person të shëndetshëm?
Dr. Nuhiu: Për një person të shëndetshëm, pa ankesa dhe pa sëmundje kronike, rekomandohet që analizat bazë laboratorike të bëhen 1 deri 2 herë në vit. Ky kontroll vjetor ndihmon në zbulimin e hershëm të ndryshimeve që mund të mos japin ende simptoma, si anemia, çrregullimet e sheqerit apo të yndyrave në gjak. Në disa raste, mjeku mund të rekomandojë analiza edhe më shpesh, varësisht nga faktorët individualë të rrezikut.
Shneta: Cilat analiza konsiderohen “thelbësore” për kontrollin e shëndetit të përgjithshëm?
Dr. Nuhiu: Analizat bazë që japin një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes shëndetësore janë:
- Hemogrami (gjaku komplet) – për vlerësimin e anemisë, infeksioneve dhe gjendjes së përgjithshme të gjakut.
- Glukoza në gjak – për zbulimin e hershëm të diabetit.
- Kolesteroli total, HDL, LDL dhe trigliceridet – për vlerësimin e rrezikut kardiovaskular.
- Urea dhe kreatinina – për funksionin e melqise dhe veshkave.
- AST, ALT (enzimat e mëlçisë) – për shëndetin e mëlçisë.
- Analiza e urinës – për infeksione urinare dhe çrregullime metabolike.
Këto analiza konsiderohen baza e kontrollit laboratorik.
Shneta: A ndryshon frekuenca e analizave sipas moshës, gjinisë apo historisë familjare?
Po, frekuenca dhe lloji i analizave ndryshon sipas individit:
- Me rritjen e moshës, analizat bëhen më të shpeshta dhe më të zgjeruara;
- Gratë kanë nevojë më shpesh për kontroll të hekurit, ferritinës dhe hormoneve, sidomos gjatë shtatzënisë apo menopauzës.
- Personat me histori familjare për diabet, sëmundje të zemrës, tension apo probleme me gjendren tiroide duhet të kontrollohen më herët dhe më shpesh.
- TE meshkujt rekomandohet te behet edhe PSA( antigjeni specifik i prostates) per diagnostifikimin e hershem te problemeve te prostates si: tumori beninj i prostates, kanceri i prostates, inflamacionit etj).
Mjeku ose biokimisti e përshtat planin sipas rrezikut individual.
Shneta: Si ndikojnë stresi, dieta dhe aktiviteti fizik në rezultatet e analizave?
Dr. Nuhiu: Faktorët e përditshëm ndikojnë drejtpërdrejt në analizat laboratorike:
- Stresi mund të rrisë glukozën, kortizolin dhe disa parametra hormonalë.
- Dieta e pasur me yndyra dhe sheqer ndikon në rritjen e kolesterolit, triglicerideve, sheqerit
- Aktiviteti fizik intensiv para analizave mund të rrisë enzimat muskulare dhe disa vlera biokimike
Prandaj, analizat rekomandohen të bëhen esëll, pas pushimit dhe pa stres të shtuar.
Shneta: Kur duhet të bëhen analiza më të avancuara për personat me sëmundje kronike ose probleme të veçanta shëndetësore?
Dr. Nuhiu: Personat me diabet, sëmundje të zemrës, probleme hormonale, veshkash apo mëlçie duhet të bëjnë analiza më të avancuara dhe më shpesh, zakonisht çdo 3–6 muaj, sipas rekomandimit të mjekut.
Këto analiza shërbejnë për:
- Monitorimin e terapisë.
- Parandalimin e komplikimeve.
- Vlerësimin e përparimit ose përkeqësimit të sëmundjes.
Shneta: Çfarë këshillash mund t’u jepen lexuesve për interpretimin e rezultateve laboratorike dhe veprimet pas tyre?
Dr. Nuhiu: Mos i interpretoni analizat vetëm duke i krahasuar me vlerat referente. Çdo rezultat duhet parë në kontekst me moshën, gjininë, simptomat dhe historinë mjekësore. Një vlerë jashtë normales nuk do të thotë gjithmonë sëmundje. Konsultohuni gjithmonë me mjekun ose biokimistin për shpjegim profesional. Analizat janë mjet ndihmës – vendimi klinik merret gjithmonë nga profesionisti shëndetësor. /Gazeta Shneta/


