Në rubrikën “Mjeku i Javës” në Gazetën Shneta kësaj radhe vjen specialistja e mjekësisë interne dhe kardiologe në QKUK Prof. Asoc. Dr. Aurora Bakalli. Në ditën ndërkombëtare të Hipertensionit dr. Bakalli ndan me ne informata për Hipertensionin apo vrasësin e heshtur. Shpjegon diagnostikimin, shkaktarët dhe trajtimin që duhet të kemi lidhur me këtë patologji.
Prof. Asoc. Dr. Aurora Bakalli është e lindur në Prishtinë më 1974. Fakultetin e Mjekësisë (1998) e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, duke qenë edhe përfituese e mirënjohjes “Student i Dalluar i Universitetit të Prishtinës”. Studimet pasdiplomike dhe magjistraturën (2007) i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa doktoraturën në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup (2012).
Është specialiste e Mjekësisë Interne, me subspecializim në Kardiologji. Ka realizuar disa trajnime ndërkombëtare nga lëmia e kardiologjisë. Nga viti 2004 është e kyqur në cilësinë e specialistit në Klinikën e Kardiologjisë dhe në periudhë 7 vjeçare ka mbajtur pozitën e shefit të repartit. Nga viti 2018 është zgjedhur Profesor për lëndën Mjekësi Interne në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës. Ka mbajtur disa pozita udhëheqëse si Kryetare e Komitetit Specialistik, Kryetare e Komitetit Etik të ShSKUK-së, Shefe e Degës së Mjekësisë së Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, Koordinatore e doktorantëve të programit Mjekësi Klinike. Është autore dhe bashkëautore e rreth 40 publikimeve shkencore ndërkombëtare.
Ҫfarë është hipertensioni arterial dhe si e diagnostikojmë atë?
Hipertensioni arterial ose shtypja e lartë e gjakut është diagnoza primare më e shpeshtënë mbarë botën dhe padyshim patologjia më e shpeshtë në praktikën ambulantore për ne kardiologët.
Hipertensioni përkufizohet si presioni sistolik i gjakut prej 140 mm Hg ose më shumë, ose presioni diastolik i gjakut prej 90 mm Hg ose më shumë, ose nëse pacienti është duke marrë ilaçe antihipertensive.
Diagnostikimi i hipertensionit arterial përfshinë matjen e saktë të shtypjes së gjakut nga ana e mjekut sipas rekomandimeve të udhërrëfyesve, marrjen e anamnezëssë fokusuar mjekësore, ekzaminimin fizik dhe marrjen e analizave rutinë laboratorike. Në kuadër të diagnostikimit përfshihet edhe realizimi i EKG-së. Në bazë të të dhënave të fituara mund të kërkohen edhe ekzaminime tjera më të detajuara. Këta hapa shërbejnë në përcaktimin e: komplikimeve të hipertensionit arterial, shkaqet e mundshme të hipertensionit, identifikimin e faktorëve shtesë të rrezikut (përpos hipertensionit)përsëmundje kardiovaskulare. Kjoka rëndësi për qasjen e menaxhimit të sëmurit me hipertension arterial.
Cilët janë shkaktarët e Hipertensionit?
Përafërsisht 90-95% e pacientëve adult me hipertension arterial kanë hipertension primar me shkaktar të panjohur, ndërsa hipertensioni sekondar përbën rreth 5-10% të rasteve. Ndër shkaktarët e mundshëm të hipertensionit sekondar janë: sëmundja kronike e veshkëve, sëmundjet renovaskulare, sëmundjet e gjëndrës mbiveshkore, sëmundjet e gjëndrës tiroide dhe paratiroide, apnea e gjumit, koarktacioni i aortës.
Cilat probleme shëndetësore lidhen me presionin e lartë të gjakut?
Shtypja e lartë e gjakut e pakontrolluar, me kalimin e kohës mund të japë pasoja në shumë organe, si: zemër, në kuptim të hipertrofisë së ventrikulit të majtë, sëmundjes iskemike të zemrës (angina pektorale, infarkti i miokardit), insuficiencës (pamjaftueshmërisë) së zemrës; tru në formë të iktusit cerebrovaskular (goditja në tru) apo atakut kalimtar iskemik; sëmundje kronike të veshkëve; sëmundje të arterieve periferike; ndryshime nëfundin e syve në formë të retinopative.
Si mund ta di nëse kam presion të lartë të gjakut?
Hipertensioni arterial zakonisht nuk ka asnjë simptomë, kështu që mënyra e vetme për të zbuluar atë është të kontrollohet shtypja e gjakut. Te shumë pacientë ekziston botëkuptimi i gabuar se nëse nuk ka simptome hipertensioni nuk është i dëmshëm, por në fakt hipertensioni arterial i pa trajtuar dhe i pa kontrolluar bën të gjitha dëmet që përmendëm më lartë, prandaj me të drejtë hipertensioni arterial quhet vrasësi i heshtur.
Ndërsa, ndër simptomet e mundshme, sidomos te vlerat shumë të larta të tensionit arterial, janë: kokëdhembja, ushtima në veshë,marramendja, dhembja e gjoksi, frymëzënia, mundimi, vjellja, gjakderdhja nga hunda, turrbullimi i të pamurit, ankthi etj.
Cili është trajtimi për presionin e lartë të gjakut dhe cilat janë efektet anësore të barnave për presionin e lartë të gjakut?
Aktualisht janë në dispozicion një numër i madh barnash antihipertenzive, si: ACE inhibitorët, bllokuesit e receptorëve të angiotenzinës, beta bllokatorët, kalcium bllokatorët, diuretikët, alfa-1 bllokatorët, vazodilatatorët e drejtpërdrejt etj. Varësisht nga i sëmuri dhe të dhënat nga ekzaminimi i përgjithshëm, mjeku do të vendosë për terapinë që do ta përshkruaj dhe kombinimet që do të bëj.
Barnat antihipertensive në përgjithësi nuk japin efekte anësorë, megjithatë të sëmurët nga medikamentet e caktuara antihipertensive mund t’i kenë këto efekte anësore: kollën e thatë, ajtjet e këmbëve,skuqje të fytyrës, marramendje, plogështi, kokëdhembje, mundim etj. Në këto raste duhet konsultuar mjekun që ka përshkruar medikamentin.
Cilat janë këshillat që përmirësojnë Hipertensionin?
Këshilla të rëndësishme sa i përket përmirësimit të hipertensionit arterial përfshijnë: humbje peshe (reduktimi i shtypjes sistolike të gjakut 5-20 mm Hg për 10 kg); kufizimi i përdorimit tëalkoolit në jo më shumë se 30 ml etanol në ditë për burrat ose 15 ml etanol në ditë për gratë (reduktimi i shtypjes sistolike të gjakut 2-4 mm Hg); reduktimi i përdorimit të kripës (nën 5 g klorur natriumi; reduktimi i shtypjes sistolike të gjakut 2-8 mm Hg); marrja e duhur e kaliumit në dietë (afërsisht 90 mmol/ditë); marrja e duhur te kalciumit dhe magnezit në dietë për shëndetin e përgjithshëm; ndalimi i konsumimit të duhanit;dieta e pasur me pemë dhe perime,reduktimii marrjessë yndyrave të ngopura dietike dhe kolesterolit(reduktimi i shtypjes sistolike të gjakut 8-14 mm Hg);angazhimi në ushtrime aerobike të paktën 30 minuta në ditë për shumicën e ditëve (reduktimi i shtypjes sistolike të gjakut 4-9 mm Hg).
Në përfundim si porosi për të sëmurët me hipertension arterial, është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’i përmbahen këshillave për stilin e jetesës dhe të jenë të disiplinuar në marrjen e terapisë së përshkruar. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me mjekun e tyre është i domosdoshëm për të arritur kontrollimin e shtypjes së gjakut dhe parandalimin e pasojave të hipertensionit. Vetëm kështu mund të mposhtet vrasësi i heshtur./Gazeta Shneta/