Në rubrikën “Mjeku i Javës” në Gazetën Shneta kësaj radhe vjen gjinekologu Dr.mr.sci Selman Demolli, i cili flet për lindjet normale dhe epidurale. Ai sqaron me detaje përparsitë, komplikimet, dallimet që mund të kenë këto dy forma të lindjes.
Dr. Selman Demolli ka lindur në vitin 1965 në Krilevë, komuna e Kamenicës. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 1992. Pas diplomimit, ai punoi si mjek i përgjithshëm në Shoqatën Humanitare Bamirëse Nënë Tereza në Prishtinë deri në vitin 1997.
Në vitin 1997, ai filloi specializimin në maternitetin e shoqatës Humanitare bamirëse Nëna Terezë. Specializimin e përfundoi në vitin 2002. Pas specializimit, dr. Demolli punoi si specialist në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike deri më 01 Qershor 2023. Tani ai vazhdon punën si gjinekolog-obstetër në Klinikën Amerikane Dr. Behari Kusari në Prishtinë dhe Poliklinikën Dafina, shkruan Gazeta Shneta.
Në një intervistë për Gazetën Shneta gjinekologu Demolli tregoi përparësitë e lindjes normale për nënën dhe foshnjën. Sipas tij disa nga përparsitë për nënën janë koha e shkurtër e rikuperimit, fillimi i shpejtë i laktacionit dhe më pak shanse për komplikime të shtatzënisë në të ardhmen.
Një lindje normale ofron përfitime të shumta si për nënën ashtu edhe për fetusin.
Nëse flasim për nënën përparsit e lindjes normale janë;
a)Koha më e shkurtër e rikuperimit.
b)Laktacioni fillon më shpejt.
c)Shanse më të ulëta të komplikimeve të shtatzënisë në të ardhmen etj.
Përfitimet e lindjes normale për fetusin janë:
a)Mundësi më të ulëta të sëmundjeve të frymëmarrjes.
b)Përmirësimi i funksionit të sistemit imunitar.
c)Më shumë gjasa për të ushqyer me gji,- tregoi gjinekologu Demolli.
Doktori po ashtu tregoi edhe për përparsitë e lindjes epidurale.
Bllokada epidurale është një prej teknikave të anestezisë që përdoret gjatë lindjeve vaginale dhe ofron formën më të efektshme të qetësimit të dhimbjeve. Arsyeja primare për analgjezi epidurale është dëshira e pacientes për lehtësimin e dhimbjeve. Sipas shumë studimeve ende nuk është vërtetuar se lindja epidurale shkakton rritje të numrit të lindjeve me prerje cezariane, – bëri të ditur mjeku.
Më tutje doktori shpjegoi disa nga komplikimet që mund të hasin gratë gjatë lindjes normale siç është hemoragjia, infeksionet, dhimbjet etj.
Kompliklimet e lindjes normale janë:
1) Hemoragjia, ku tek këto lindje mesatarisht humben rreth 500 ml gjak. Cdo humbje gjaku mbi 500ml konsiderohet rrezik për nënën. Faktorët e hershëm që shkaktojnë hemoragji janë; atonia e mitrës, llaceracione e indeve të buta të kanalit të lindjes, pjesët e mbetura të placentës, placenta acreta,increta, percreta, ruptura e mitrës, inversioni i mitrës, kuagulopatitë.
2) Infeksionet i mitrës për shkak të mbetjes së pjesëve të placentës
3) Dhimbjet
4) Urinimi i pavullnetshëm pas lindjes
5) Endometriti
6) Depresioni pas lindjes, – tregoi doktori.
Sipas gjinekologut këto komplikime ndodhin edhe te lindjet epidurale. Ai shpjegoi me detaje komplikimet që mund të ndodhin nga anestezioni epidural rastet kur hipertensoni dëmton fetusin dhe mënyren e trajtimit.
Edhe tek lindja epidurale mund të ndodhin të njëjtat komplikacione vetëm se komplikim nga anestezioni epidural mund të ketë edhe hipotensionin i cili përcaktohet si rënie e presionit arterial 20% nga presioni bazë. Kjo ndodh në 10% deri 30% të rasteve me bllokadë spinale e cila shkaktohet si rezultat i efektit të anestetikut lokal që vepron në fijet simpatike (përgjegjëse për tonusin e bazave të gjakut) pra shkakton vazodilatacion.
Ky Hipotension dëmton fetusin duke ulur prurjen e gjakut uterin. Kur ky komplikacion vihet re me kohë, trajtohet me efektshmëri duke rritur sasinë e lëngjëve të dhëna me rrugë intravenoze andaj nuk kemi efekte të pa dëshirueshme. Por nëse nuk mund të korigjohet me rritjen e lëngjeve intravenoze, atëherë trajtohet me vazopresor. Komplikacioni tjetër i lindjes epidurale është edhe mundësia e efekteve toksike të anestetikëve lokal.
Më shpesh intoksikimi ndodh kur anestetiku lokal injektohet mbrenda një vaze sesa mbrenda hapsirës epidurale apo kur është përdorur një sasi e madhe e anestetikut. Të gjithë anestetikët lokal kanë dozat e tyre maksimale të rekomanduara dhe këto doza nuk duhen tejkaluar. Alergjia nga anestetikët lokal edhe pse është komplikim shumë i rrallë, egziston mundësia që ato të ndodhin. Paraliza dhe dëmtimi i nervave, komplikacion ky që është jashtzakonisht I rrallë. Dëmtimi i nervit ndodh 0.02% të rasteve me anestezion epidural.
Studimet me përzgjedhje rastësore kanë arritur në përfundim se analgjezia epidurale shkakton një zgjatje modeste të stadit të parë dhe të dytë të lindjes, që janë më të theksuara të lindjet e para, – bëri të ditur dr. Selamni.
Doktori tregoi se në cilat raste është e nevojshme të aplikohet lindja epidurale.
Lindja epidurale aplikohet gjatë lindjes për të ndihmuar në uljen e dhimbjes gjatë kontraksioneve në
periudhën e parë të lindjes kur dilatimi i çafës së mitrës është afërsisht 4-5cm, – shpjegoi dr. Selmani
Më tutje gjinekologu vuri në pah dallimet mes këtyre lindjeve.
Lindja natyrale është lindje vaginale pa mjekim ndërsa lindja epidurale është me anestezi që futet në
shtyllën kurrizore për të mpirë gjysmën e poshtme të trupit për të lehtësuar shqetësimin e lindjes, – tregoi gjinekologu Demolli.
Shpeshëherë kemi dëgjuar se nëse në lindjen e parë aplikohet lindja epidurale atëherë edhe në lindjet tjera duhet të aplikohet po kjo formë e lindjes mirëpo dr. Selamni tregon se kjo nuk është e vërtetë dhe se secila lindje është unike.
Aplikimi i epidurales në lindjen e parë nuk e bën të domosdoshme aplikimin në lindjet e tjera. Çdo lindje është unike dhe vendimet rreth aplikimit të epidurales merren në konsultim me mjekun tuaj,- sqaroi dr. Selman Demolli.