Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke funksionuar shërbimi i trombolizës për trajtimin e infarktit trunor. Gazeta Shneta në rubrikën Mjeku i Javës sjellë një intervistë me neurologun Dr. Blerim Myftiu.
Është një shërbim shumë i rëndësishëm dhe jetik për qytetarët që pësojnë sulm në tru. Quhet Tromboliza intravenoze e cila nëse aplikohet me kohë, mundëson trajtim më të mirë për pacientët me infarkt trunor. Fatmirësisht ky shërbim ka filluar të funksionojë edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Për të mësuar më shumë për këtë shërbim ju ftojmë të lexoni intervistën me neurologun e Klinikës së Neurologjisë në QKUK, Dr. Blerim Myftiu. Mjeku flet për simptomat e infarktit trunor si dhe për trajtimin me trombolizë.
Si mund ta merrni këtë shërbim nëse përballeni me një sulm në tru, mund të mësoni në këtë intervistë.
– Çfarë është procedura e tromboembolizes për trajtimin e sulmit në tru?
Tromboliza intravenoze është trajtimi më bashkëkohor, akut, i infarktit trunor. Nënkupton dhënien e një bari të quajtur alteplazë apo t-PA përmes venës në një infuzion njëorësh dhe brenda më së largu 4.5 orësh nga koha e fillimit të simptomave që gjykojmë të jenë të ndërlidhura me infarktin akut të trurit. Këtë gjykim e konstatojmë në bazë të simptomave dhe shenjave neurologjike që i vërejmë te një pacient dhe pas realizimit të tomografisë së kompjuterizuar të trurit, e cila përjashton çdo lloj patologjie tjetër (siç është gjakderdhja trunore, tumori apo abscesi) dhe na e hap rrugën aplikimit të terapisë.
Caku i terapisë është shkrirja e trombit në qarkullimin arterial i cili e ka bllokuar furnizimin e asaj pjese të trurit me gjak, lirimin pra nga kjo pengesë dhe arritjen e restaurimit të perfuzionit të asaj pjese të cenuar të trurit sërish me gjak, në mënyrë që të shpëtohet truri nga dëmi eventual dhe të mundësohet ruajtja e funksionalitetit të pacientit.
– Ju keni filluar këtë shërbim rishtas në QKUK, si ka funksionuar deri më tani dhe sa raste janë kryer?
Shërbimi i trombolizës në Klinikën e Neurologjisë ka filluar të funksionojë nga marsi i sivjetmë, kur janë bërë edhe trajtimet e para. Janë siguruar kushtet themelore infrastrukturore dhe të personelit për mbarëvajtjen e procesit dhe mund të themi se Klinika e Neurologjisë e posedon minimumin e kushteve subjektive dhe objektive për realizimin e procedurës. Janë realizuar deri tani rreth 30 raste të intervenimit.
Mund të themi se të gjitha rastet që janë paraqitur në kohë dhe nuk kanë pasur kundërindikacion për aplikimit të terapisë, janë arritur që të trajtohen. Problemi megjithatë mbetet hapësira e ngushtë kohore për dhënien e terapisë që me vete detyron njohjen e shpejtë të simptomave të sulmit në tru, orientimin dhe sjelljen sa më të shpejtë të rastit në Qendrën Emergjente apo në Klinikën e Neurologjisë, si edhe menaxhimin e shpejtë të rastit me imazheri dhe analiza laboratorike brenda QKUK-së në mënyrë që të mos humbet koha të cilën e quajmë të artë për shpëtimin e trurit nga pasojat e mungesës së qarkullimit të gjakut.
– Sa i ndihmon kjo procedurë pacientët për të evituar intervenime të rënda?
Matja e efektit të terapisë bëhet zakonisht me shkallën e modifikuar sipas Rankinit, që paraqet një shkallë që e mat invaliditetin, përkatësisht aftësinë funksionale të një pacienti pas infarktit të pësuar akut në tru. Vlerësimi bëhet zakonisht 3 muaj pas ngjarjes, përkatësisht pas terapisë trombolitike. Duke marrë për bazë këtë kriter, pacientët e nënshtruar terapisë trombolitike kanë përmirësim rreth 30% më të mirë në krahasim me të patrajtuarit.
Prandaj, në vija të trasha, themi se suksesi terapeutik është 30-40%. Përmirësimet nga terapia mund t’i shohim edhe aty për aty. Janë shumë faktorë që ndikojnë në sukses, duke filluar nga mosha, prania e faktorëve të tjerë të rrezikut, gjendja e trurit para infarktit deri te madhësia dhe lokalizimi i infarktit. Kështu që përgjithësim nuk mund të bëhet.
– Cilët pacientë kanë nevojë për këtë trajtim, cilat janë indikacionet për t’iu nënshtruar tromboembolizës?
Terapia është e rekomanduar për të gjithë pacientët mbi moshën 18-vjeçare. Një kohë ka ekzistuar limiti i moshës prej 80-vjeç, përkatësisht pacientët mbi këtë moshë kanë pasur disa kritere shtesë, më rigoroze, për t’i kualifikuar për terapi. Mirëpo rishtas, duke parë që dobia e terapisë është shumë më e madhe, atëherë të gjithë pacientët që gjykojmë të kenë pësuar infarkt akut të trurit janë kandidatë potencialë për terapi. Thënë më qartë, indikacioni për terapi është infarkti akut i trurit dhe paraqitja e hershme dhe pa vonesë në institucionin ku aplikohet terapia.
– Si mund të marrin këtë shërbim në QKUK pacientët? Cilat janë informacionet që duhet t’i dijnë qytetarët duke e pas parasyshë kohën e artë për këtë trajtim?
Të gjithë pacientët dhe familjarët që vërejnë se kanë simptoma me fillim akut – humbja e të folurit, humbja e aftësisë për të kuptuar apo komunikuar, devijimi i gojës në njërën anë, trashja e gjuhës, mpirja apo humbja e fuqisë në njërën gjysmë të trupit, marramendje, vjellje, humbje e të parit me njërin sy apo të një pjese të caktuar të fushës vizive – është mirë të paraqiten direkt në Klinikën e Neurologjisë në QKUK apo në qendrën më të afërt shëndetësore.
Nëse paraqiten në qendrën më të afërt shëndetësore, është detyrë e mjekut përgjegjës që t’i identifikojë simptomat sugjeruese për infarkt akut të trurit dhe pa humbur kohë pacientin ta udhëzojë apo ta transportojë për në QKUK. Është detyrë e mjekut kujdestar në Qendrën Emergjente në QKUK që ta identifikojë këtë pacient dhe të ndërmarrë urgjentisht masat për realizimin e tomografisë së kompjuterizuar të trurit dhe të analizave përcjellëse, duke e lajmëruar neurologun kujdestar që të përgatitet për një rast eventual të trombolizës.
Shumë hallka të sistemit shëndetësor duhet të funksionojnë shpejt dhe sigurt në mënyrë që pacienti brenda dritares së artë kohore të përfundojë në Klinikën e Neurologjisë. Në hartim e sipër është Strategjia kombëtare për trajtimin e insultit akut në tru dhe ekipi i udhëhequr nga Ass. Dr. Fisnik Jashari është duke punuar në këtë drejtim. Pritet përkatësisht aprovimi i MSH-së. Përmes Strategjisë rregullohet ky zinxhir referues dhe synohet kësisoj ngritja e kapaciteteve për referim dhe transportim sa më të shpejtë të pacientit në Klinikën e Neurologjisë. Synojmë që përveç ngritjes së vetëdijes dhe krijimit të zinxhirit të mirëfilltë, Strategjia të parasosh edhe masa disiplinore ndëshkuese për çdo hallkë që ngec në zbatimin e këtij zinxhiri.
– A ka nevojë ky shërbim për investime të tjera, qoftë në staf mjekësor apo në aparatura dhe infrastrukturë?
Nevojat dhe investimet nuk mbarojnë kurrë dhe nuk janë të mjaftueshme asnjëherë. Klinika e Neurologjisë ka nevojë për staf shtesë infermieror për dhomën dhe shërbimin e trombolizës. Aparati tomografik në Klinikën e Neurologjisë, po ashtu për shkak të mungesës së stafit, nuk është në gjendje të ofrojë shërbim 24-orësh.
Prandaj tomografitë duhet të realizohen në Qendrën Emergjente, gjë që në një situatë të ndjeshme siç është tromboliza ku luftohet me kohën, shkakton vonesë zbatimi të terapisë. Këtu ndërlidhet transporti, ku QKUK-ja funksionon me një veturë transportuese dhe një shofer pas orarit të rregullt të punës. Të gjitha këto mungesa çojnë në vonesa kohore të panevojshme, dhe rrjedhimisht në ulje të suksesit të terapisë trombolitike.