Një nga kirurgët me vlerësimin më të mirë në QKUK, Dr. Valon Zejnullahu PhD, vjen në një intervistë në Gazetën Shneta në kuadër të rubrikës Mjeku i Javës. Zejnullahu në këtë intervistë tregon cilat janë procedurat që ai i kryen në klinikë, si dhe sfidat në trajtimin e pacientëve me patologji të kancerit.
Kirurgu i përgjithshëm dhe endoskopist Dr. Valon Zejnullahu realizon procedura diagnostike dhe terapeutike në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Në një intervistë për Gazetën ai flet për intervenimet që kryhen në këtë klinikë, në kirurgjinë e hapur apo atë endoskopike. Zejnullahu thotë se sfida në trajtimin e pacientëve me sëmundje të kancerit, është diagnostikimi i vonshëm.
Për lexuesit kirurgu tregon edhe disa këshilla për të evituar sëmundjet e lukthit. Lexoni më poshtë intervistën e plotë:
Doktor a mundeni me na tregu cilat janë procedurat diagnostike dhe trajtimet kirurgjike që i kryeni ju si specialist i kirurgjisë së përgjithshme abdominale?
Specialistët e kirurgjisë abdominale dhe endoskopisë, realizojnë procedura diagnostike dhe terapeutike, sic janë diagnostifikimi i sëmundjeve nga lëmia e kirurgjisë abdominale si dhe trajtimin e tyre konzervativ dhe kirurgjik.
Prej procedurave diagnostike të cilat unë i realizoj është gastroskopia, kolonoskopia si dhe procedura e ERCP e cila është njëherit procedurë diagnostike dhe terapeutike. Të gjitha procedurat e përmendura përdoren për trajtimin e problemeve në lukth, zorrë të trashë kurse procedura ERCP përdoret për trajtimin e sëmundjeve në rrugët biliare.
Procedurat diagnostike dhe terapeutike që realizohen në baza ditore përfshijnë: intervenimet endoskopike, biopsitë, dilatimi i ezofagut, largimi i trupave të huaj nga ezofagu dhe lukthi, stentimet e ezofagut dhe rrugeve biliare tek tumoret, ekstrakcionet e gurëve nga rrugët biliare, stentimi i tumoreve, kurse nga pjesa operative realizojmë të gjitha operacionet me kirurgji të hapur dhe një pjesë tjetër me qasje laparaskopike nga lemia e kirurgjisë abdominale.
Vlen të përmendet që kohëve të fundit ka rritje të kërkesave të pacienteve për vendosjen e balonit gastrik. Baloni gastrik është trajtim i cili vie në shprehje te pacientët me probleme obesiteti sidomos në rastet kur përpjekjet e pacientëve për ta arritur peshën e duhur me dietë nuk kanë pasur sukses.
Ju jeni një nga kirurgët që i trajtoni edhe rastet e rënda të onkologjisë. Sa është e vështirë të punohen këto raste?
Trajtimi i pacientëve të cilët janë të diagnostikuar me tumore në traktin gastrointestinal dhe hepatobilar është sfidë e veçantë në kirurgjinë abdominale në vendin tonë por edhe në klinikat e tjera jashtë vendit.
Sfida kryesore qëndron në diagnostikimin e hershëm të tyre si dhe trajtimin e duhur. Zakonisht një numër i madh i patologjive në lëmin e kirurgjisë abdominale diagnostikohen vonë, për shkak të natyrës tinëzare të se sëmundjes dhe kjo e bën edhe me të vështirë trajtimin e tyre në stadet e avancuara të sëmundjes.
Andaj rekomandimi im për pacientët është që të mos neglizhohen simptomat si dhe të lajmërohen sa më herët te mjeku, sepse kjo do të ndihmonte në diagnostifikimin më të hershëm të sëmundjes dhe rrjedhimisht edhe trajtimi kirurgjik do të kishte më shumë sukses.
Sa është e zhvilluar kirurgjia në Kosovë në krahasim me vendet e rajonit ose më larg? Për çka kanë nevojë kirurgët që të avancojnë edhe më shumë njohuritë e tyre në metodat e reja?
Mendimi im është që në Kosovë kemi profesionistë vërtetë të përgatitur për trajtimin e patologjive në kirurgjinë abdominale. Të gjithë profesionistët tanë, në vazhdimësi ndjekin trajnimet e vazhdueshme me qëllim të ngritjes profesionale.
Pa dyshim, sfidë mbetet përcjellja e risive profesionale dhe teknologjisë inovative e cila në botë po ec me hapa shumë të shpejt. Ne si profesionist të lemisë kirurgjike na duhet të jemi në hap me kohën, kjo nënkupton që na duhet përkrahje e vazhdueshme për ti ndjekur trajnimet e nevojshme, shkëmbimin e përvojave me Klinika Universitare jashtë vendit si dhe përkrahja logjistike për realizimin e këtyre metodave në klinikat tona.
Nga përvoja juaj me pacientë, cilat janë patologjitë më të shpeshta tek qytetarët në Kosovë?
Në fakt secila lëmi e mjekësisë është e profilizuar për të trajtuar patologjitë e lëmise përkatëse dhe më saktë kanë edhe statistikat përkatëse për patologji të vecanta.
Ne në kirurgjinë abdominale më së shpeshti hasim patologji, duke filluar nga muri i përparëm i abdomenit sic janë hernitë, patologjitë e traktit digjestiv dhe hepatobiliar e në vecanti guret në fshikzën e tëmthit, gurët në kanalet biliare ,tumoret beninje dhe malinje të ezofagut, lukthit, zorrëve të holla dhe të trasha, obesitetit por edhe tumoreve me lokalizime më specifike por me një përqindje më të vogël. Pastaj urgjencat abdominale sic janë lëndimet traumatike, appendicitet, ulcerat peptike, pankreatitet, obstrukcionet intestinale me natyrë të ndryshme, abceset si dhe patologji tjera specifike të cilat janë më të rralla.
Cilat janë këshillat e juaja për qytetarët që të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre, sidomos në evitimin e sëmundjeve të lukthit?
Parandalimi i sëmundjeve të lukthit më së miri arrihet duke i kushtuar kujdes evitimit të shprehive që kanë për pasojë dëmtimin e lukthit dhe zakonisht janë nxitës të sëmundjeve të shumta.
Këshilla ime është që qytetarët të evitojnë maksimalisht ushqimet e shpejta (fast food), përdorimin e tepruar të alkoolit, pijet energjike, përdorimin e tepruar të mëlmesave si dhe mundësisht të evitohen shkaktarët e stresit.
Evitimi i shkaktarëve që përmenda më lartë ndihmon shumë në evitimin e shumicës së sëmundjeve, sidomos obesitetit i cili kohëve të fundit është bërë problematik dhe i shpeshtë tek ne por edhe në vendet e tjera. /Gazeta Shneta/