Në javët e fundit janë vërejtur disa raste të lëndimeve shumë të rënda, përfshirë edhe raste me përfundim fatal, te fëmijët që përdorin trotinetë elektrikë, paralajmëron mjeku Haki Jashari.
Ai thekson se trotinetët elektrikë nuk duhet të konsiderohen lodra, pasi mund të arrijnë shpejtësi të konsiderueshme dhe të shkaktojnë trauma të rënda të kokës, dëmtime të shtyllës kurrizore, fraktura dhe pasoja të përhershme shëndetësore, përcjell Gazeta Shneta.
“Javëve të fundit kam parë disa raste të lëndimeve shumë të rënda, madje edhe me përfundim fatal, të fëmijëve që përdorin trotinetë elektrikë,” thekson Jashari në apelin e tij.
Sipas tij, përdorimi i trotinetëve elektrikë në rrugë publike nuk lejohet për persona nën moshën 16 vjeç, megjithatë shpesh vërehet përdorimi i tyre nga fëmijë shumë më të vegjël.
Ai u bën thirrje prindërve që të mos i trajtojnë këto mjete si lodra dhe të tregojnë kujdes maksimal në mbikëqyrjen e fëmijëve. Po ashtu, thekson se përdorimi i helmetës dhe pajisjeve mbrojtëse duhet të jetë i domosdoshëm, në rast se respektohet mosha e lejuar për përdorim.
Njëkohësisht, ai u kërkon institucioneve përgjegjëse të forcojnë zbatimin e ligjit, kontrollet në terren dhe fushatat vetëdijësuese për parandalimin e aksidenteve.
“Çdo lëndim i rëndë, e sidomos çdo jetë e humbur, është një tragjedi që shpesh mund të parandalohet. Siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet i përbashkët i të gjithëve,” përfundon apeli i tij.


