Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ka njoftuar për investimet e fundit në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK.
Sipas njoftimit të MSh-së, thuhet se investimet në vlerë të 1 milion e 770 mijë euro në Klinikën e Neurokirurgjisë, janë bërë në aparaturën e re që mundëson shërbime të reja në QKUK, përcjell Gazeta Shneta.
Ndër të tjera, thuhet se ky investim i bërë nga MSh-ja do të hap rrugë një shërbimi të ri në QKUK që nuk ka qenë më parë.
“Në vazhdën e investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim të shtimit të shërbimeve të cilat do të ofrohen për herë të parë në institucionet publike shëndetësore, në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK tashmë ka arritur pajisja e re, gjeneratë e fundit e teknologjisë. Ky shërbim i ri përfshin intervenime të cilat nuk kanë qenë të mundura të realizohen më parë në QKUK, veçanërisht për rastet të cilat diagnostikohen me forma më agresive të kancerit që origjinën e kanë në tru”, theksohet tutje nga MSh-ja.
E veçantë e këtij investimi është që përmes shërbimit të ri në Klinikën e Neurokirurgjisë, pritet të reduktohet numrin i pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit.
“QKUK po zbaton planin dinamik përgatitor me qëllim të funkionalizimit të aparaturës, ndërsa bashkë me pajisjet e tjera siç janë sistemi i fluoroskopisë 3D, neuroendoskopi dhe tabela e kirurgjisë kurrizore, vlera e investimeve në Klinikën e Neurokirugjisë arrin në vlerën 1 milion e 770 mijē euro”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MSh-së. /Gazeta Shneta/