Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ka njoftuar se Inspektorati Shëndetësor ka dalur në terren pas pranimit të ankesave nga qytetarët e Komunës së Mitrovicës dhe asaj të Vushtrrisë në lidhje me ndërprerjen e dhënies së infuzioneve në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të këtyre komunave.
Pas ankesave të pranuara nga qytetarët se në Komunën e Mitrovicës dhe në Komunën e Vushtrrisë është ndërprerë dhënia e infuzioneve në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh), Inspektorati Shëndetësor ka realizuar inspektime specifike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë dhe QKMF në Vushtrri, thuhet në njoftimin e dhënë nga MSh-ja.
“Gjatë inspektimeve, nga stafi udhëheqës është kërkuar që të respektohet ligji në fuqi, Udhëzimi Administrativ UA 04/2020 dhe rregulloret të cilat obligojnë institucionet e kujdesit parësor shëndetësor që të ofrojnë trajtimin ditor me infuzione”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Sipas raportit, përderisa në Komunën e Vushtrrisë kjo terapi është dhënë kryesisht por ka munguar me raste, në QKMF në Mitrovicë është konstatuar se nuk është vepruar sipas ligjit në fuqi i cili ua siguron qytetarëve edhe shërbimet intravenoze nën mbikëqyrjen e mjekut familjar.
Udhëheqësit e QKMF-ve në të dy komunat janë urdhëruar që konform legjislacionit në fuqi të rifillojë shërbimi i dhënies së infuzioneve që qytetarët të kenë mundësi të shfrytëzojnë këto shërbime shëndetësore.
Aksionet e Inspektoratit Shëndetësor do të vazhdojnë do të ndërmerren masa të pakopromis ndaj çdo institucioni i cili nuk i respekton ligjet në fuqi. /Gazeta Shneta/