Ministria e Shëndetësisë pritet të hapë përsëri shkollimin specialistik.
Pas më tepër se dy vite Ministria e Shëndetësisë është në përgatitje për të hapur përsëri shkollimin specialistik.
Në përgjigjet e ministrisë dhënë për Gazetën Shneta nuk tregohen detaje se kur pritet të hapet shkollimi specialistik mirë po thonë se janë në përgatitje të listave.
“Ministria e Shëndetësisë, është duke përgatitur listën e numrit të specializimeve të reja, ku do të specifikohet numri i sakt që do të pranohen në shkollim specialistik dhe njëkohësisht edhe kërkesën për nevojat e klinikave”, thuhet në përgjigjen e ministrisë ndërsa thonë se për të gjitha detajet tjera, opinionin publik do të njoftohet me kohë.
Pas katër vitesh mungesë – në korrik të vitit 2020, gjatë kohës sa Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga Armend Zemaj, ishte hapur konkursi për shkollim specialistik për të cilin aplikuan mbi 1 mijë mjek.
Sipas statistikave të vitit 2018 të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në spitalet rajonale janë 661 mjekë specialistë.
Gjatë mbledhjes së qeverisë të mbajtur këtë të mërkurë, ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë ndarë 2,6 milion euro për specializantët – në të cilën do të përfshihen pagesat e subvencioeve për specializantët me vetfinancim si dhe një pjesë e tyre do te ndahen për hapjen e shkollimit specialistik.
“Bëhet fjalë për një ndarje shtesë në mënyrë që të vazhdohet pagesa e specializantëve po ashtu edhe të ketë hapësirë për hapje për specializim që janë të domosdoshme sa i përketë sistemit tonë shëndetësore”, tha Murati gjatë mbledhjes.
“Mjetet në vlerë prej 1 milion e 490 mijë euro ndahen për Ministrinë e Shëndetësisë në nënprogramin për aftësimin e specialistik ndërsa pjesa tjetër në vlerë prej 1 milion e 120 mijë e 100 euro ndahen për kategorin subvencione dhe transfere”, ka sqaruar gjithashtu ministri.
Pagesat pritet të bëhen nga muaji shtator deri në dhjetor 2022.
Në fund të muajit gusht ka përfunduar kontrata për subvencionimin e rreth 430 specializantëve me vetfinancim./Gazeta Shneta/