Ndotja e ajrit nuk lidhet vetëm me kancerin e mushkërive, por rrit ndjeshëm rrezikun për zhvillimin dhe vdekshmërinë nga disa lloje të tjera kanceri, sipas një raporti të ri ndërkombëtar. Studimi, i përgatitur nga Unioni për Kontrollin Ndërkombëtar të Kancerit (UICC), thekson nevojën urgjente për standarde më të rrepta të cilësisë së ajrit.
Raporti analizoi të dhëna nga 42 studime të publikuara mes viteve 2019 dhe 2024 dhe arriti në përfundimin se ndotja e ajrit është një faktor i rëndësishëm rreziku për disa lloje kanceri, përveç atij të mushkërive.
Sipas burimit Euronews Health, ekspozimi ndaj grimcave të imta, të njohura si PM2.5, rezulton të jetë veçanërisht i dëmshëm.
Personat që jetojnë në zona me nivele të larta të këtyre grimcave kanë rreth 11% më shumë gjasa të zhvillojnë kancer në përgjithësi.
Rritjet më të mëdha të rrezikut vërehen për kancerin e mëlçisë, zorrës së trashë, veshkave, mushkërive dhe fshikëzës urinare.
Për më tepër, ekspozimi afatgjatë ndaj PM2.5 lidhet me një rritje prej 12% të rrezikut për vdekje nga kanceri, duke përfshirë një rrezik 20% më të lartë për kancerin e gjirit, transmeton Gazeta Shneta.
Edhe grimcat më të mëdha, të njohura si PM10, shoqërohen me rritje të rrezikut: rreth 10% më shumë mundësi për zhvillim kanceri dhe rritje të ndjeshme të vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive dhe ai i gjirit.
Raporti thekson gjithashtu se ndikimi i ndotjes nuk është i barabartë për të gjithë.
Gratë dhe fëmijët janë më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit në ambiente të brendshme, sidomos nga përdorimi i karburanteve të ngurta për gatim dhe ngrohje.
Mes tjerash, gratë që jetojnë në këto kushte kanë deri në 69% më shumë rrezik për kancer të mushkërive, si dhe rrezik të shtuar për kancer të qafës së mitrës.
Popullsitë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përballen me barrën më të madhe, për shkak të niveleve më të larta të ndotjes dhe mungesës së aksesit në kujdes shëndetësor cilësor.
Edhe brenda Evropës, rajonet më të varfra rezultojnë më të prekura.
Ekspertët paralajmërojnë se ndotja e ajrit po minon përparimin e arritur në luftën kundër kancerit.
Ata bëjnë thirrje për veprime të koordinuara, përfshirë përmirësimin e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe masa më të forta për uljen e ndotjes.
Megjithëse kërkohen studime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht mekanizmat biologjikë dhe ndikimet e tjera, dëmet janë tashmë të qarta.
Ulja e ndotjes së ajrit shihet jo vetëm si një prioritet mjedisor, por edhe si një strategji thelbësore për parandalimin e kancerit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /Gazeta Shneta/


