Komuna e Ferizajt është më e goditura nga koronavirusi nga rezultatet e sotme të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Nga një rast i cili ka qenë i konfirmuar para tre ditësh dhe i cili ndërroi jetë në Klinikën Emergjente në QKUK, tanimë numri total i të infektuarve nga Covid-19 në Ferizaj ka shkuar në 18, shkruan Gazeta Shneta.
Instituti ka njoftuar se rastet pozitive në Ferizaj janë tetë në fshatin Sazli, tre në brendësi të qytetit, 2 në Mirash dhe nga një rast në Varosh, Greme, Talinoc i Muhaxherëve, Neredime dhe Lloshkobare.
Kujtojmë se i infektuari i parë në këtë komunë ishte nga fshati Sazli. I ndjeri I.Sh. ishte punëtor në kampin amerikan ‘Bondsteel’. Instituti ka njfotuar se të gjitha rastet në Ferizaj janë raste kontakti.
Nga kjo komunë është konfirmuar para disa ditësh edhe një rast pozitiv i cili kishte ardhur nga jashtë dhe i njëjti ishte vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Rastet e tjera të konfirmuara sot nga IKSHPK janë dy raste nga komuna e Vitisë, një rast në Han të Elezit, një në Prizren dhe një në Prishtinë. Numri total i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë deri më sot ka arritur në 250. /Gazeta Shneta/