Klinika Infektive ka publikuar raportin mbi gjendjen e pacientëve të infektuar me koronavirus Covid-19. Në këtë klinikë janë të shtrirë gjithsej 44 pacientë me koronavirus, ndërsa janë në pritje të rezultateve edhe për 6 persona të tjerë.
“Nga 44 raste të infektuar, 35 raste janë në gjendje stabile, 8 raste kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Një paciente në kujdesin intensiv e pranuar me 25.03.2020, vazhdon të jetë në gjendje të rendë dhe është në ventilim mekanik”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Shneta.
Klinika ka njoftuar poashtu se edhe një infermiere e klinikës është konfirmuar pozitive me koronavirus, duke çuar kështu numrin në 4 infermiere të klinikës dhe 6 në total në nivel të Kosovës.
“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, e testuar pozitiv me Covid -19 është edhe një infermiere e cila ka qenë në kontakt me 3 infermieret tjera të cilat janë Covid -19 pozitiv.Të 4 infermieret e infektuara janë në gjendje të mirë shëndetësore, prej të cilave tri janë të spitalizuara në klinikë ndërsa njera është e vetizoluar në shtëpi”, thuhet në raportin e hartuar nga dr. Sadie Namani, specialiste- infektologe. /Gazeta Shneta/