Në Qendrën Klinike Universitare janë punësuar tre mjekë pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të konkursit, por në bazë të një marrëveshje ndërmjet tyre dhe QKUK-së.
Gazeta Shneta ka mësuar se një radiologe në Klinikën e Radiologjisë dhe dy specialistë në Klinikën e Oftalmologjisë janë punësuar me një lloj marrëveshje për mbajtjen e kujdestarive. Gazeta ka siguruar një marrëveshje të tillë, në bazë të së cilës mjekët do të paguhen për kujdestari njëjtë sikurse mjekët e punësuar në mënyrë të rregullt.
“Qendra Klinike Universitare me këtë marrëveshje është e obliguar që të mbajë kujdestari sipas vlerësimit të Shërbimit përkatës. Institucioni do të bëjë pagesën çdo muaj për kujdestari të mbajtura në vlerë si të çdo mjekut specialistë të punësuar si i rregullt në QKUK, duke u bazuar në Ligjin e Punës, Ligjin e Shëndetësisë dhe analizën financiare të bashkëngjitur në shtojcën 1 të Kontratës Kolektive Sektoriale (KKS)”, thuhet në këtë marrëveshje.
QKUK në një përgjigje zyrtare ka deklaruar se mjekët kanë kontratë për kujdestari, por nuk janë të punësuar në mënyrë të rregullt. “Nuk janë të punësuar, por sikurse në klinikat tjera që ka mjekë që kanë kontratë vetëm për kujdestari me mbajtë. Por nuk është kontratë mbi vepër e as punësim”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Mjekët e punësuar me marrëveshje janë Dr. Merita Basha në Klinikën e Radiologjisë, ndërsa në Oftalmologji janë Dr. Enis Xhafa dhe Dr. Drilon Zeka. Gazeta ka mundur të bie në kontakt me Bashën, ndërsa nuk ka arritur të ketë qasje për të kontaktuar Xhafën dhe Zekën. Megjithatë Gazeta ka kërkuar sqarime nga drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë Dr. Adem Miftari.
“Dy mjekët janë volunter dhe do të punojnë në shërbime deficitare të klinikës. Për procedurat e angazhimit të tyre ju lutem kontaktoni menaxhmentin”, ka deklaruar Miftari.
Ndërkaq Basha fillimisht ka kërkuar të kontaktohet më vonë por e njëjta më pas nuk e ka hapur telefonin. Gazeta ka siguruar një kopje të orarit të punës të kësaj jave në Klinikën e Radiologjisë dhe Basha aty rezulton se do të punojë në orar të rregullt, e jo në kujdestari sikurse parasheh edhe marrëveshja që ka nënshkruar me QKUK-në. /Gazeta Shneta/