Në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës ka filluar të aplikohet “Bubble testi” me Doppler transkranial (TCD), një metodë e re diagnostike për vlerësimin e pacientëve me insult iskemik në tru.
Kjo metodë jo-invazive përdoret për të zbuluar praninë e një shunti djathtas-majtas në zemër, siç është Foramen ovale patente, e cila në disa raste lidhet me shkakun e stroke-ut, veçanërisht tek pacientët e rinj.
Sipas SHSKUK, një rezultat pozitiv në këtë test sinjalizon mundësinë e kalimit jonormal të gjakut dhe ndihmon në orientimin e mëtejshëm të diagnostikimit dhe trajtimit.
Në këto raste, pacientët mund të kenë nevojë për ekzaminime të tjera kardiologjike më invazive, ndërsa në situata të caktuara merret në konsideratë edhe mbyllja e PFO-së me ndërhyrje kirurgjikale.
“Bubble testi” me TCD konsiderohet i shpejtë, jo-invaziv dhe me ndjeshmëri të lartë në zbulimin e shunteve, duke ndihmuar në sqarimin e shkakut të insultit iskemik në tru.
Kjo metodë ka filluar të aplikohet në këtë klinikë që nga qershori i vitit 2025./Gazeta Shneta/




