Situata e krijuar nga Covid-19 në Kosovë ka bërë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të pranohen raste të vonuara të pacientëve me sëmundje të rënda.
Masat e kufizimit të lëvizjes dhe karantimi i qyteteve, pezullimi i programit të rasteve të ftohta, ka bërë që në QKUK pacientët të mbërrijnë me sëmundje të avancuara. Pranimi i këtyre rasteve është konfirmuar edhe nga drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale Dr. Ferat Sallahu, shkruan Gazeta Shneta.
Sallahu ka thënë se kanë pranuar disa raste në stade të avancuara prej fillimit të situatës me masat anti-virus. “Po kemi disa raste të vonuara për shkak të situatës”, ka deklaruar Sallahu. Ai ka thënë se në këto raste bëhet e pamundura për të përmirësuar gjendjen.
E rifillimi i programit elektiv nuk pritet të ndodhë edhe pas 4 majit kur do të lehtësohen masat. Kështu ka deklaruar dje ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia. Ai ka thënë se arsye për mos fillimin e programit elektiv dhe punës në ambulancat specialistike është kursimi i materialit dhe hapësirave të spitaleve për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Për këtë gjendje ka alarmuar edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve. PRAK ka deklaruar se kalimi në “stand by” të sektorëve të tjerë shëndetësorë dhe bartja e fokusit në masat ndaj COVID-19, ka ndikuar që pacientëve të tjerë me sëmundje të tjera “të zakonshme” për shkak të mosofrimit të kujdesit të duhur shëndetësor, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar edhe më tutje, gjë që një numër i tyre po e paguan edhe me jetë.
“Natyrisht, për shkak se Kosova nuk ka një Sistem të Integruar të Informimit Shëndetësor, nuk mund të ofrohet ndonjë shifër e saktë e dëmeve që i janë shkaktuar pacientëve të sëmurë me sëmundje të tjera jo të lidhura me COVID-19, por, këtë më së miri po e ndjejnë ata që po kalojnë nëpër këtë sfidë”, thuhet në deklaratën publike të PRAK-ut.
Duke pasur parasyshë se sipas ekspertëve virusi do të vazhdojë të mbetet i pranishëm edhe më tutje dhe kjo situatë pritet të zgjasë së paku deri vitin e ardhshëm, PRAK kërkon që Ministria e Shëndetësisë duhet të hartojnë një plan të “bashkëjetesës” me virusin Covid-19.
“Ndoshta do të jemi në një pozicion të vlerësojmë se nga kush po dëmtohet më shumë shëndeti publik, nga pandemia apo mosofrimi i shërbimeve të tjera shëndetësore. Këta pacientë për dallim prej palëve të tjera nuk kërkojnë asgjë më shumë, veç realizimit të të drejtës së tyre për shëndet dhe jetë dhe kjo është një përgjegjësi e institucioneve”, thuhet në reagimin e PRAK. /Gazeta Shneta/