Në Klinikën e Radiologjisë në QKUK një numër i mjekëve janë paguar për kujdestari të plota me vetëm 12 orë punë, kurse stafit teknik i janë kalkuluar orët shtesë në kundërshtim me ligjin
Zyra e Auditorit të brendshëm në SHSKUK ka bërë një auditim të mbajtjes dhe pagesave të kujdestarive në QKUK dhe spitale rajonale. Një kopje të këtij raporti e ka siguruar Gazeta Shneta, ku janë evidentuar parregullësi në disa njësi.
Një ndër to është edhe Klinika e Radiologjisë ku janë paguar kujdestari në kundërshtim me ligjin.
Më 4 nëntor të vitit 2019 ish-drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së Basri Sejdiu kishte marr një vendim për ofrimin e shërbimeve në Rezonancën Magnetike dhe CT 64 gjatë të shtunës dhe të dielës. Nga ky vendim ishte rritur numri i kujdestarive nga tri aq sa janë të rregullta sipas planit të punës, në gjashtë sosh duke ngritur edhe numrin e radiologëve në gjashtë mjekë kujdestar.
Sipas auditorit, në bazë të kësaj shkrese të Sejdiut ishte paraparë që të punohet 24 orë edhe gjatë vikendeve. Mjekët ishin paguar për kujdestari 24 orëshe, por në fakt kishin punuar vetëm nga 12 orë.
“…sipas testimeve që kemi kryer dhe intervistave të zhvilluara me drejtorin e Klinikës së Radiologjisë (v.j. Bujar Gjikolli) kemi konstatuar se stafi mjekësor që ka qenë i angazhuar në kujdestari gjatë vikendeve në RM dhe CT64 ka punuar nga ora 7:00-19:00 do të thotë 12 orë pune ndërsa kalkulimi dhe pagesa e kujdestarive është bërë si kujdestari e plotë 24 orë”.
“Kurse për stafin teknik kalkulohen si orë shtesë gjë që është në kundërshtim me Ligjin e Punës Nr. 03/L-212, Kontratën Kolektive Sektoriale të Shëndetësisë dhe Ligji i Menaxhimit të Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, thuhet në raportin e auditorit.
Por kjo nuk është e vetmja parregullësi që ka ndodhur në klinikën e cila udhëhiqet nga Bujar Gjikolli. Ky i fundit kishte lejuar që shërbimi i strokës të monopolizohet nga vetëm dy specialistë dhe dy teknikë të cilët janë angazhuar rregullisht të njëjtit gjatë tërë vitit.
“Në bazë të orarit të punës së ekipit për punë në gatishmëri për stroke kemi gjetur se çdo muaj dy mjek dhe dy teknik janë angazhuar rregullisht të njëjtit gjatë tërë vitit”, thuhet në raportin e auditorit.
Auditori poashtu ka gjetur se ndërrimet e mbajtura në vikende dhe të paraqitura si orë shtesë nga teknikët e radiologjisë gjatë vikendeve në RM dhe CT, janë mbajtur në fletore të thjeshta. “Sipas deklarimeve të kryeinfermierëve të njësive të klinikës së Radiologjisë ndërrimet e mbajtura nuk nxjerrën nga librat e ndërrimeve por në bazë të orareve të përpiluara për ndërrime dërgohen për pagesë, që paraqet një mospërputhje në mes të librave të ndërrimeve të natës dhe aprovimit të listës së kujdestarive dhe ndërrimeve të natës”, thuhet në raport. /Gazeta Shneta/