Nënkryetarja dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka komentuar dorëheqjen e kardiokirurgut Raif Çavolli nga Klinika e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Ajo ka thënë se largimi i Çavollit është humbje e madhe për pacientët dhe e pakompensueshme për klinikën, transmeton Gazeta Shneta.
“Lajm i hidhur se kardiokirurgu, Dr. Raif Cavolli nuk është më pjesë e stafit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare. Mjeku i cili ishte një ndër themeluesit e Klinikës së Kardiokirurgjisë në vitin 2015 dhe që hyri në histori, ndërsa shpërblehët kështu!! Humbje e madhe për të gjithë pacientët. E pakompensueshme. Është njëri nga disa mjekë të respektuar e të dëshmuar, që ikën për shkak të pamundësisë së ushtrimit të profesionit!”, ka shkruar deputetja e VV-së.
Ajo ka thënë se është në gjendje të garatojë për ndershmërinë e kardiokirurgut. “Pak janë ata që për ndershmërinë e të cilëve do të garantoja pa asnjë dyshim, ashtu siç jam më gjendje ta bëja për Dr. Raifin. Ky ekspert vjen nga familja e mjekëve të respektuar pejanë. E mbi të gjitha është djali i humanistit dhe profesionistit të dëshmuar, Primarius Dr. Ymer Cavolli. TURP PËR JU!”, ka shkruar deputetja e VV-së.
Kritikat e VV-së për largimin e Çavollit vijnë në kohën kur kjo parti pritet të menaxhojë me shëndetësinë pas formimit të Qeverisë.
Çavolli dhe kolegu i tij Dr. Arbër Kutllovci u larguan nga klinika më 27 dhjetor. Ata kanë akuzuar shefin e repartit Dr. Adem Grbolar për pengesa në ushtrimin e profesionit të tyre, manipulim me lista të operacioneve si dhe përçarje e diskriminim në programin operativ. /Gazeta Shneta/