Mjekët nuk e dinë saktësisht pse gratë shtatzëna janë të priura për nepset – gjegjësisht për tekstura ose kombinime shijesh të ushqimeve të çuditshme.
Sipas Journal of American Dietetic Association, shumica e nepsve të tilla janë përpjekja e trupit për të marrë vitamina ose minerale që mungojnë përmes konsumimit normal të ushqimit, përcjell Gazeta Shneta.
Kjo mund të jetë si ndryshimi i hormoneve ose puna shtesë që bën trupi juaj për të mbajtur fëmijën tuaj.
Nepsi në shtatzani mund të fillojë që në javët e para, në ndryshimet e para hormonale, por ato mund të vazhdojnë edhe më vonë e nuk janë konstante.
Ka raste kur dëshira për një ushqim të caktuar ndryshon në varësi të orëve të ditës. Një gruaje shtatzënë mund t’i hahet një ushqim i caktuar në mëngjes dhe në mbrëmje mund të ketë dëshirë për diçka tërësisht ndryshe.
Mendohet se kur nënat kanë dëshirë për ushqime të ëmbla ato janë duke pritur një vajzë dhe e kundërta kur dëshirojnë ushqime të kripura e të rënda, në barkun e tyre po rritet një djalë.
Është e rëndësishme të hani një dietë ushqyese të pasur dhe kjo do të thotë mish pa dhjamë, peshk, vezë, shumë fruta dhe perime.
Shmangia e sheqerit dhe yndyrës së bashku me ushtrimet e rregullta janë të rëndësishme për një shtatzëni të shëndetshme. /Gazeta Shneta/