Një studim i ri nga Universiteti i Australisë Jugore tregon se ekspozimi ndaj niveleve të larta të kortizolit — hormoni kryesor i stresit në trup — tek fetuset e lindura para kohe mund të dëmtojë zhvillimin normal të zemrës, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare më vonë në jetë.
Studimi paraklinik, i botuar në “Experimental Physiology”, u zhvillua tek fetusët e deleve dhe tregoi se kortizoli i shtuar ndryshon ndjeshëm molekulat që kontrollojnë zhvillimin e duhur të zemrës.
Sipas autores kryesore, profesoreshës Janna Morrison, lindja para kohe është një ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë neonatale dhe lidhet me rrezik të shtuar për sëmundje të zemrës në moshë të rritur.
Kortizoli rritet në mënyrë natyrale në fund të shtatzënisë për të ndihmuar maturimin e organeve, por nivelet e larta të parakohshme — për shkak të stresit të nënës apo trajtimeve mjekësore — mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e zemrës, raporton Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Në eksperiment, studiuesit u dhanë kortizol fetusëve të deleve para kohe për shtatë ditë, për të simuluar nivelet e kortizolit që ndodhin natyrshëm më vonë gjatë shtatzënisë. Ata zbuluan ndryshime të rëndësishme në sinjalizimet molekulare të zemrës.
Kortizoli i lartë uli receptorët glukokortikoidë dhe ndikoi në molekulat që rregullojnë rritjen, metabolizmin dhe mbrojtjen kardiake — duke e bërë zemrën më të ndjeshme ndaj problemeve.
Studiuesit theksojnë rëndësinë e përdorimit të kujdesshëm të kortikosteroideve në shtatzëni dhe monitorimin afatgjatë të shëndetit të zemrës tek foshnjat e lindura para kohe. /Gazeta Shneta/


