Konsumimi i një avokadoje në ditë mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së dietës dhe të ulë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, sipas një studimi të ri.
Studiuesit thonë se përfitimet janë më të mëdha kur avokadoja zëvendëson ushqimet e pasura me yndyra të ngopura, si gjalpi apo produktet e mishit të përpunuar.
Hulumtimi analizoi efektet e konsumimit të përditshëm të avokados në shëndetin e zemrës dhe cilësinë e përgjithshme të ushqyerjes.
Rezultatet treguan se personat që përfshinë një avokado në dietën e tyre të përditshme konsumuan më shumë perime dhe yndyra të shëndetshme, ndërsa reduktuan marrjen e natriumit, drithërave të rafinuara dhe sheqernave të shtuara.
Sipas studiuesve, avokado është e pasur me yndyra të pangopura, fibra, kalium dhe magnez, lëndë ushqyese që lidhen me shëndetin e sistemit kardiovaskular.
Zëvendësimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë të yndyrave të ngopura me avokado mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”, i cili kontribuon në formimin e pllakave në arterie.
Autorët theksojnë se avokado nuk është një “ushqim mrekullibërës” dhe nuk mjafton vetë për të parandaluar sëmundjet e zemrës.
Përfitimet arrihen kur ajo bëhet pjesë e një diete të balancuar, e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, gjumë të mjaftueshëm dhe zakone të tjera të shëndetshme të jetesës.
Studime të mëparshme kanë treguar gjithashtu se konsumimi i të paktën dy porcioneve avokado në javë lidhet me një rrezik rreth 16% më të ulët për sëmundje të zemrës, ndërsa konsumimi më i shpeshtë mund të ndihmojë në përmirësimin e profilit të yndyrave në gjak dhe në kontrollin e tensionit arterial


