Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje vendeve anëtare të zgjerojnë programet kombëtare të depistimit të të porsalindurve, me qëllim zbulimin sa më të hershëm të defekteve kongjenitale dhe sëmundjeve të trashëguara.
Sipas organizatës, testimet e kryera në ditët e para pas lindjes mund të identifikojnë gjendje shëndetësore që nuk shfaqin simptoma menjëherë, por që mund të shkaktojnë pasoja të rënda nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, transmeton Gazeta Shneta.
OBSH-ja thekson se depistimi neonatal është një nga ndërhyrjet më efektive në shëndetin publik, pasi mund të parandalojë aftësi të kufizuara, dëmtime të pakthyeshme neurologjike dhe vdekje të parakohshme.
Në mesin e sëmundjeve që mund të zbulohen përmes këtyre testeve janë çrregullimet metabolike, sëmundjet hormonale si hipotiroidizmi kongjenital, si edhe një sërë sëmundjesh gjenetike, të cilat mund të trajtohen me sukses nëse identifikohen menjëherë pas lindjes.
Organizata rekomandon që të gjitha vendet të investojnë në laboratorë modernë, pajisje diagnostikuese, trajnimin e profesionistëve shëndetësorë dhe krijimin e sistemeve efikase për ndjekjen e foshnjave që rezultojnë pozitive në testime. Po ashtu, theksohet rëndësia e sigurimit të qasjes së barabartë në depistim për çdo të porsalindur, pavarësisht vendbanimit apo statusit ekonomik të familjes.
Sipas OBSH-së, zgjerimi i programeve të depistimit neonatal është një investim me përfitime afatgjata, pasi diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm jo vetëm që përmirësojnë cilësinë e jetës së fëmijëve, por edhe ulin ndjeshëm kostot e kujdesit shëndetësor dhe social në të ardhmen.


