Përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës janë takuar sot me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Granit Abdullahun.
Në këtë takim është shpallur data e zgjedhjeve për Kuvendin e kësaj Ode, e cila do të mbahet më 1 dhjetor.
Abdullahu ka deklaruar se deri më tani, të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që kanë rrjedhur nga nevojat e mjekëve i ka kryer Ministria e Shëndetësisë. Pas Kuvendit të Odës së Mjekëve, sipas zëvendësministrit Abdullahu, MSh-ja do të ketë rol politikë-bërës dhe rregullator, ndërsa Kuvendi “do të merret me të gjitha punët e tjera”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Shneta.
Zylfije Hundozi, kryetare e Odës së Mjekëve, ka thënë se deri më tani kanë funksionuar në baza vullnetare dhe e pranoi se nuk kanë arritur të funksionojnë ashtu siç do të duhej.
Por, ajo theksoi se tashmë ka hyrë në fuqi ligji që e rregullon funksionimin dhe kompetencat e Odës. “Përpjekja për organizim shoqëror paraqet sfidë të veçantë, që kërkon punë dhe angazhim… Organizata jonë nuk ka arritur të funksionojë ashtu siç e përcakton ligji”.
“Uroj që kjo organizatë t’i përmbushë këto karakteristika që i ka përkrahur dhe nga akti ligjor nga Kuvendi i Kosovës. Uroj që mos të mungojë mbështetja institucionale, sidomos nga Ministria e Shëndetësisë”.
Ajo tha se presin përkrahje nga ministri i ri i Shëndetësisë, Uran Ismaili. “Nuk kemi pasur përkrahje nga ministrat e kaluar që ta vënë ne funksion dhe mbështesin Odën e Mjekëve. Besoj që ministri Ismaili të ndihmojë që sa kjo odë të fillojë të funksionojë ma shpejtë”.
Shaban Osmanaj, kryetar i KQZ së Odës së Mjekëve, shpalli zyrtarisht ditën e zgjedhjeve më 1 dhjetor 2017.
“Jemi këtu të kumtojmë organizimin e parë të mëvetësishëm të zgjedhjeve që prej themelimit të Odës. Presim mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë për të ndihmuar në organizimin e mëtejshëm të organizatës”, tha Osmanaj.
Ai i inkurajoi të gjithë profesionistët shëndetësorë, në veçanti mjekët, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të bëhen pjesë organizative e Odës.
Drejtuesit e Odës theksuan se organizimi i mjekëve në një organizatë unike, siç është OMK, e themeluar në bazë të Ligjit Nr. 04/L-150 për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, është postulati kryesor i mbrojtjes, promovimit dhe mirëmbajtjes së etikës dhe deontologjisë mjekësore.
“Mjekët si bosht themelor i strukturës profesionale të sistemit shëndetësor kanë për obligim ligjor, etik dhe shoqëror që të organizohen në një organizatë profesionale në mënyrë që të mbrojnë integritetin e tyre profesional”.