Një studim i publikuar në New England Journal of Medicine tregon se pacientët e verbër kanë arritur të lexojnë sërish falë një çipi të vogël të vendosur pas syrit dhe syzeve të posaçme me realitet të zmadhuar (AR).
Në eksperiment morën pjesë 38 pacientë nga Europa, të gjithë në një fazë të avancuar të sëmundjes AMD, ose atrofia gjeografike, që shkakton humbje të shikimit parësor për shkak të degjenerimit të qelizave fotoreceptore në makulë. Mesatarja e moshës së pjesëmarrësve ishte 79 vjeç, shkruan BBC, transmeton Gazeta Shneta.
Pajisja PRIMA përfshin syze AR me kamera që regjistrojnë fushëpamjen vizuale dhe dërgojnë imazhin në çipin pas syrit në formë drite infra të kuqe. Çipi e konverton dritën në sinjale elektrike që stimulojnë qelizat e shëndetshme të makulës, duke lejuar trurin të interpretojë informacionin vizual.
Një përpunues imazhi lejon pacientët të zmadhojnë objektet që shohin, të cilat shfaqen bardhë e zi. Rezultatet treguan se 80% e pacientëve përjetuan përmirësime të dukshme në shikim. Disa efekte anësore u shfaqën për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale, por ato u stabilizuan brenda dy muajsh.
Kirurgjia për implantimin e çipit kërkon aftësi të larta dhe përmban rreziqe, por pajisja pritet të përmirësohet në të ardhmen duke rritur numrin e pikselave nga 400 në 10 mijë.
Shkencëtarët shpresojnë që kjo teknologji të aplikohet edhe te sëmundje të tjera të retinës, si Stargardt, që prek më së shumti të rinjtë dhe ka ngjashmëri me AMD./ Gazeta Shneta/


