Një pacient ka ndarë me emocion përvojën e tij të jashtëzakonshme me shërbimin shëndetësor në Spitalin Regjional “Samihaxhi Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Pas një injeksioni në QKMF që çoi në përkeqësimin e gjendjes së tij, pacienti u dërgua me urgjencë në spital. Gjatë qëndrimit të tij, gjendja shëndetësore ndryshonte, por përkujdesja mjekësore ishte e shpejtë dhe profesionale. Dr. Florim Sadiku, internist, së bashku me dr. Laura Pula, pulmologe, dhe dr. Enis Istrefi, neurolog e kontrolluan pacientin brenda një ore, një shërbim që, sipas tij, është e paimagjinueshme në shumë shtete europiane, ku pacientët shpesh duhet të presin javë ose muaj për një konsultë specialisti, përcjell Gazeta Shneta.
Përveç shpejtësisë dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor, pacienti theksoi sjelljen e shkëlqyer të stafit të spitalit, duke përmendur Agron Sumiqi dhe infermierët Valdete Maliqi, Basri Grepi, Andresa Tahiri dhe të tjerë. Falënderimet për ta ishin të sinqerta, pasi ata e bënë ndihmën shëndetësore më të lehtë dhe më të shpejtë.
Pacienti gjithashtu shprehu befasinë e tij për faktin se për të gjitha shërbimet mjekësore, përfshirë ekzaminimet, analizat, inçizimet, infuzionet dhe shpenzimet e tjera, nuk kërkua asnjë pagesë, një shërbim që është e paimagjinueshme në vendet perëndimore, ku shpenzimet për shëndetin janë shumë të larta.
Në një kohë kur kemi dëgjuar shumë kritika për sistemin shëndetësor në Kosovë, ky rast tregon një tjetër realitet, një përvojë që pacienti nuk mund të kishte përjetuar në shumë shtete europiane, duke i dhënë një mesazh të fuqishëm mbi vlerat dhe mundësitë që ofron shërbimi shëndetësor në Mitrovicë./ Gazeta Shneta/
Postimi i plotë:
ATË QË NUK E KEMI GJETUR KURRË NË EUROPË ME PAGESË, E GJETËM NË MITROVICË PA PAGESË”
“Para dy dite, pasi qe e pranova nje injekcion ne QKMF gjendje ime u keqesua gjere ne ate mase sa qe me emergjence me derguan ne Spitalin Regjional “Samihaxhi Haxhibeqiri” ne Mitrovice. Gjate qendrimit tim ne spital gjendja ime ndryshonte, dhe menjehere ne ndihme me erdhi dr. Florim Sadiku, internist, i cili me kontrolloi dhe e ftoi menjehere dr. Laura Pula pulmologe. E njejta pasi qe me kontrolloi shpejt, e thirri dr. Enis Istrefi, neurolog. Te gjithe keta specialist me kontrolluan brenda me pak se nje ore. Kjo per neve ishte impresionuese, sepse ne edhe pse jetojme nje Europe-Holande, nje gje e tille eshte e paimagjinueshme, per faktin se atje duhet te pritet me jave e ndoshta edhe muaj per kontrolle te specialisti. Ndersa, ne Kosove brenda me pak se nje ore te ekzaminojne 3 specialist !!!
Gjithashtu vlen te permendet sjellja e shkelqyeshme e stafit: Agron Sumiqi (sjellja dhe kontributi i te cilit eshte i njohur ne qytet) se bashku me infermieret, Valdete Maliqi, Basri Grepi, Andresa Tahiri, etj, (le te me falin, edhe ata tjeret qe nuk iu di emrat) per çka te gjithe i falenderojme thellesisht nga zemra.
Dua t’iu perkujtoj se ne Holande, sigurimin shendetesor e paguajme mbi 500 euro ne muaj, dhe nje kujdes dhe ndihme mjekesore e tille si ketu, eshte e paimagjinueshme. Kurse ketu ne Mitrovice, per te gjitha keto ekzaminime, kontrolla, analiza, inçizime, infuzione, shpenzime, etj, per çudine e Botes, asnje cent nuk na kerkoi askush !!!.
Ne kemi degjuar edhe shume raste te tilla, prandaj, nuk mund te besojme, si mund ende dikush te flas keq per shendetesine ne Kosove”?
Nga pershtypjet e bukura te Kimete – Kiki & Zejd Gashi.