Pacienti i cili qëndroi për rreth 24 orë në Emergjencën e QKUK-së, ka ndërruar jetë nga koronavirusi në Klinikën Infektive në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Pacienti i lindur në vitin 1961 ishte kontrolluar për herë të parë më 1 prill në Emergjencë, ndërsa dy ditë më vonë ishte vendosur në këtë klinikë për t’u ekzaminuar dhe për t’u triazhuar tutje. Mbrëmjen e datës 4 prill i ndjeri ishte diagnostikuar me koronavirus fillimisht përmes CT-së së toraksit e pastaj ishte verifikuar përmes analizave laboratorike në Institutin Kombëtar, shkruan Gazeta Shneta.
“Në ora 03:00 ka përfunduar me vdekje pacienti i gjinise mashkull S. N, 1961, Prishtinë, i cili është pranuar në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 04. 04. 2020 transfer nga Qendra Emergjente e QKUK-së dhe ka qenë me sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus tip 2. Sy hepatorenale). Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive në gjendje të rendë pa vetëdije”, thuhet në njoftimin e sotëm të Infektivës.
Kujtojmë se edhe një grua 70-vjeçare nga Prizreni ka ndërruar jetë sot poashtu duke çuar numrin e viktimave nga koronavirusi në tre. /Gazeta Shneta/