Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së sotme është vënë në kërkim të produktit medicinal Paracetamol P-500.
Kjo pas shqetësimeve të ngritura lidhur me një lajm se ky lloj paracetamoli përmban virusin “Machupo”, i cili mund të jetë vdekjeprurës.
Lajmi është mohuar nga Ministria e Shëndetësisë duke deklaruar se P-500 nuk është i regjistruar për shitje pranë Agjencionit për Produkte Medicinale.
Në fakt lajmi ishte përhapur edhe në mediat ndërkombëtare gjatë gushtit të vitit të kaluar, duke bërë kështu që edhe qeveritë e vendeve tjera të reagojnë duke sqaruar opinionin.
Megjithatë Inspektorati Farmaceutik ka kontrolluar barnatoret gjatë ditës së sotme për të parë nëse paracetamoli në fjalë shitet në Kosovë.
U.D. i drejtorit të Inspektoratit, Dr. Shaban Osmanaj, ka thënë për Gazeta Shneta se deri më tani nuk është gjetur asnjë produkt medicinal i këtij lloji.
“Inspektorët kanë dal sot në terren dhe deri më tani nuk kanë gjetur asnjë produkt paracetamol. Poashtu në Inspektorat nuk është raportuar asnjë rast i tillë nga palët”, ka thënë Osmanaj.
Ai ka ftuar palët ose pacientët që të raportojnë rastet e blerjes së Paracetamolit P-500.
Osmanaj ka thënë se nëse haset në raste të tillë, përveç konfiskimit do t’i bëhen edhe analiza për të zbuluar nëse përmbajnë virusin “Machupo”.
Zyrtarisht ky virus deri më tani është raportuar vetëm në shtetin e Bolivisë, nga ku edhe ka prejardhjen. /Gazeta Shneta/