Për çdo pacient të regjistruar në qendrat e mjekësisë familjare, komunat do të përfitojnë nga 2.40 euro nga Ministria e Shëndetësisë.
Këtë marrëveshje ndërmjet MSH-së dhe komunës së Prishtinës, Prizrenit, Rahovecit, Suharekës, Dragashit dhe Malishevës, e ka mundësuar përmes një kredie Banka Botërore, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, transmeton Gazeta Shneta.
Postimi i tij i plotë:
Për çdo pacient të regjistruar, Qendrat e Mjekësisë Familjare do të përfitojnë nga 2.40 euro. Prishtina do t’i marrë rreth 450 mijë euro, ndërsa Prizreni rreth 200 mijë euro, si dy komunat më të mëdha, për t’i ngritur kapacitetet e tyre të kujdesit ndaj qytetarëve.
Kjo është marrëveshja e re e financimit, e mundësuar përmes huamarrjes nga Banka Botërore, të cilën sot pata kënaqësinë ta nënshkruaj bashkë me kryetarët dhe përfaqësuesit e komunës së Prishtinës, Prizrenit, Rahovecit, Suharekës, Dragashit dhe Malishevës.
Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve në institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor për të gjithë qytetarët në nevojë në këto komuna.