Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e ndërmarrë dje në Prishtinë, ku u kontrolluan disa biznese që dyshohen për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit zhvilluan veprime hetimore ndaj personave që ofronin shërbime estetike pa autorizim ligjor.
Gjatë bastisjeve në rreth 15 lokacione, janë sekuestruar produkte medicinale, regjistra klientësh, pajisje elektronike si laptopë, njësi kompjuterike dhe DVR të kamerave të sigurisë.
Në lidhje me rastin, 11 persona u intervistuan në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa katër të tjerë u ftuan për t’u paraqitur në organet e hetuesisë.
Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit kompetent, të gjithë të dyshuarit janë liruar, ndërsa hetimet vazhdojnë./Gazeta Shneta/



