Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, u përball së fundmi me skandalin e vdekjes së dyshimtë të tre pacientëve.
Ai nuk kishte pranuar të marr përgjegjësi, duke tentuar t’ua hidhte fajin mjekëve kur thoshte se “jam shef i administratës, nuk punoj në salla të operacionit”.
Kjo është arsyeja kryesore pse ai zgjodhi të dorëhiqej, para se të shkarkohej nga Bordi i ri, shkruan Gazeta Shneta.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë presion te Bordi i ri që të shkarkojë Gjocajn nga pozita e drejtorit.
Gjocajn e kishte vizituar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili kishte kërkuar sqarime për vdekjen e pacientëve.
Bordi kishte kërkuar sqarim nga Zyra Ligjore e Kryeministrit të Kosovës për rizgjedhjen e Gjocajt nga Bordi i kaluar.
Bordit të kaluar i kishte skaduar mandati në janar, ndërsa kishte rizgjedhur Gjocajn në pozitën e drejtorit në qershor.
Gjocaj erdhi në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, nëpërmjet pazareve të ish-nënkryetarit të PDK-së, Adem Grabovci.
Kjo ishte bërë e ditur në skandalin e përgjimeve të klanit Pronto, kur Grabovci i kërkonte ish-kryeministrit Hashim Thaqi që t’ia “rehatonte dajën se i ka mbetur keq”. /Gazeta Shneta/