Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimin ndaj kolegjit privat “UBT”, pasi i njëjti dyshohet se ka regjistruar 1236 studentë më shumë.
Ky veprim është ndërmarrë pas një Kallëzimi Penal që është bërë nga inspektorati i arsimit i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se po hetohet kolegji “UBT” për shkak të dyshimit të tejkalimit të studentëve të regjistruar.
“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë çështje, mund t’iu njoftojmë se Inspektorati i Arsimit ka ushtruar kallëzim penal ndaj kolegjit “UBT” në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për shkak të dyshimit të tejkalimit të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2018/19.
Në këtë kolegj Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informatave dhe provave në sqarimin e kësaj çështjeje. Aktualisht, rasti ndodhet në fazën e zhvillimit të procedurës hetimore”, kanë bërë të ditur nga Prokuroria, shkruan Front Online.
Rektori i “UBT-së”, Edmond Hajrizi, ka thënë se nuk janë të njoftuar për kallëzimin penal të ispektoratit të MASHT-it dhe nuk kanë ndonjë informatë për hetimet nga Prokuroria.
“Nuk kam informacion se po zhvillohen hetime ndaj kolegjit UBT. Ne deri më tani i kemi fituar të gjitha rastet që I kemi pasur, për këtë mund të vini dhe të informohen edhe në zyret tona, Kolegji UBT është i vetmi që i ka respektuar afatet kohore dhe se nuk është e vërtet që e kemi tejkaluar numrin e regjistrimit të studentëve”, ka thënë Hajrizi, shkruan Front Online.