Protesta e FSSHK-së për shtesa dhe paga, mjekët ‘ia japin’ kartonin e kuq Qeverisë

2021-09-17 në ora 16:19

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), gjatë së premtes ka mbajtur dy protesta, para ministrisë së Shëndetësisë dhe para Qeverisë së Kosovës.

Kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për institucionet qendrore sipas kryetarit Blerim Syla janë Ligji mbi Pagat dhe shtesat mbi pagë bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë.

Në mënyrë simbolike ata kanë ngritur lartë kartë të kuq në drejtim të institucioneve.Syla shtoi se nuk kërkojnë më shumë se vetëm zbatim të ligjit e jo lëmosh, madje ka paralajmëruar sërish protestë edhe më masive.

“Jemi detyruar të dalim sot me vendimin e kryesisë edhe pse shumë pak, por me një qëllim të qartë duke kërkuar implementim të ligjit. Ka disa muaj që kemi adresuar kërkesa tek presidenca e kryeministri”.

“Duam zbatim të ligjit dhe jo lëmoshë, andaj kërkojmë që urgjentisht të zbatohet kërkesë jonë kryesore, dhe të kemi barazi, e në të kundërtën ne nuk marrim përsipër veprimet tona duke dal masovikisht prapë në protestë”, tha Syla.

Përderisa paradite protesta është mbajtur para MSh-së duke kërkuar vazhdimi i dialogut social dhe nxjerrja e udhëzimit administrativë për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë. Madje e kanë kritikuar ministrin Arben Vitia se i ka injoruar vazhdimisht. /Ekonomiaonline