QKUK furnizohet me 15 mijë njësi Fentanyl

2018-06-07 në ora 12:45

Qendra Klinike Universitare e Kosovës është furnizuar me anestetikun që bllokoi punën e sallave operative. Dy ditë më parë Gazeta Shneta ka alarmuar për gjendjen e rëndë e cila rrezikonte t’i nxirrte nga funksioni të gjitha sallat operative në QKUK. Kjo bëri që MSH të mobilizohet për furnizim gjatë ditës së sotme

Ministria e Shëndetësisë ka dërguar rreth 15 mijë njësi të medikamentit Fentanyl. “Ministria e Shëndetësisë duke dashur që t’i paraprijë vazhdimit të furnizimit të rregullt me anestezion, Fentanyl 50 mcg/ml, 2ml, në bazë të kërkesave të SHSKUK-së, sot ka liferuar edhe 15 mijë njësi të reja”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Kallxo.com. Sipas tyre për tre muajt e ardhshëm nuk do të ketë problem me anestezion dhe operimet do të vazhdojnë të kryhen sipas plan-programit.

Këtë e ka konfirmuar edhe Gazeta Shneta nëpërmjet Drejtorit të Klinikës së Anestezionit, Dr. Nehat Baftiu. Ai ka than se sot në mëngjes ka ardhur kjo sasi e Fentanylit dhe se tani ka mjaftueshëm për të kryer operacionit. Baftiu poashtu ka bërë të ditur se janë furnizuar edhe me disa medikamente tjera si dhe doreza, shiringa e gjilpëra.

Mungesa e anestetikëve nxori nga funksioni sallat operative në disa klinika të QKUK-së. Fillimisht ra programi në Klinikën e Urologjisë, pastaj në Gjinekologji dhe në Kirurgji Torakale./Gazeta Shneta/