Qyteti i vogël Voi në veri të Italisë ku ka ndodhur vdekja e parë nga koronavirusi në vend, është bërë një rast studimi ku demonstrohet mjaft mirë parandalimi i përhapjes së Covid-19.
Shkencëtarët e mbështetur nga Universiteti i Padovës, me ndihmën e rajonit të Venetos dhe Kryqit të Kuq, kanë testuar 3,300 persona, që do të thotë të gjithë banorët e këtij qyteti të vogël, duke përfshirë edhe personat asimptomatikë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Qëllimi i studimit ishte të hulumtohej natyra e virusit, dinamika e transmetimit dhe kategoritë e rrezikuara. Studiuesit sqaruan se ata kanë testuar disa banorë madje edhe nga dy herë dhe përfundimi ishte se detektimi i rasteve që nuk shfaqin simptoma është vendimtar në parandalimin e përhapjes së epidemisë.
Kur filloi studimi, më datën 6 mars kishte të paktën 90 të infektuar në Vo dhe disa ditë më pas nuk kishte raste të reja.
“Ne ishim në gjendje të izolonim shpërthijmin sepse i identifikuam dhe eliminuam të infektuarit”, ka deklaruar Andresa Crisanti, një infektolog ekspertë nga Kolegji Mbretëror në Londër, i cili mori pjesë në studimin e Voi-së. “Kjo është ajo që e bën diferencën”, ka shtuar ai.
Hulumtimi bëri të mundur identifikimin e të paktën 6 personave që nuk kishin simptoma dhe të cilët u testuan pozitiv me Covid-19. “Nëse këta njerëz nuk do të ishin zbuluar, ata ndoshta do të kishin infektuar banorë të tjerë duke mos e ditur fare”, kanë thënë hulumtuesit.
“Përqindja e personave të infektuar që nuk shfaqin simptoma është shumë e lartë. Izolimi i tyre është thelbësor për të mundësuar kontrollimin e përhapjes së virusit dhe ashpërsinë e sëmundjes”, ka deklaruar Sergio Romagnani, profesor i imunologjisë klinike në Universitetin e Firencës.
Shumë ekspertë dhe kryetarë bashkish në Itali janë duke bërë presion që të kryhen teste masive në vend, përfshirë edhe atyre asimptomatikë. Edhe OBSH ka bërë thirrje që të ketë sa më shumë testime të rasteve të dyshuara dhe kontakteve simptomatike, por ende nuk ka një thirrje për testim masiv të popullatës. /Gazeta Shneta/