Përparimi i Evropës në shëndetësi po “ngec” dhe në disa fusha madje po shënon regres, sipas një raporti të përgjithshëm të ri që mbulon gjithçka, nga infeksionet dhe sëmundjet kronike deri te jetëgjatësia në të gjithë kontinentin dhe në pjesë të Azisë Qendrore.
Raporti i ri Evropian i Shëndetit 2024 ka zbuluar se boshllëqet në mbulimin e vaksinimit janë përkeqësuar në disa vende të rajonit, duke sjellë një rikthim të sëmundjeve si fruthi dhe pertusisi (kolla e mirë), raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Në vitin 2023, pati më shumë se 58,000 raste me fruth në 41 vende, si dhe 87,000 raste me pertusis – numri më i lartë në dekadën e fundit.
Vetëm shtatë vende në rajon – Hungaria, Kazakistani, Malta, Portugalia, Sllovakia, Turkmenistani dhe Uzbekistani – kanë një mbulim mbi 95 për qind për tre vaksina kyçe: difterinë, tetanozin dhe pertusisin; fruthin; dhe infeksionet pneumokokale.
Raporti i sapo publikuar, i cili del çdo tre vjet nga zyra rajonale evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vjen në një kohë kur vendet përballen me sfida të shumta, si plakja e popullsisë dhe ndryshimet klimatike.
“Përparimi u ngadalësua, pjesërisht për shkak të pandemisë së COVID-it, por nuk mund të qëndrojmë duarkryq,” tha Dr. Natasha Azzopardi-Muscat, Drejtoreshë e Politikave dhe Sistemeve Shëndetësore të OBSH të Evropës, në një konferencë për shtyp për Euronews Health.
Rajoni duhet të ‘përballet me shkaqet rrënjësore të sëmundjeve kronike’
Raporti i ri tregoi gjithashtu shenja përmirësimi në rajon. U zbulua se sëmundje si ato kardiovaskulare, kanceri, diabeti dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes janë në rënie.
Dhjetë vende – Belgjika, Danimarka, Estonia, Izraeli, Kazakistani, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Zvicra – kanë arritur objektivin për të ulur vdekshmërinë e parakohshme nga sëmundjet kryesore kronike me 25 për qind.
Megjithatë, këto sëmundje ende lidhen me vdekjen e një në gjashtë persona nën moshën 70 vjeç në rajon.
Shkaku kryesor i vdekjes së parakohshme është sëmundja kardiovaskulare, veçanërisht në vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.
Ndërkohë që vendet e Evropës Veriore dhe Perëndimore kanë numër më të lartë të rasteve të reja me kancer, vdekshmëria është në rënie. Nga ana tjetër, vendet e Evropës Lindore kanë më pak raste të kancerit, por një vdekshmëri më të lartë.
“I gjithë rajoni duhet të përballet me shkaqet rrënjësore të sëmundjeve kronike; nga përdorimi i duhanit dhe alkoolit deri te qasja e dobët në ushqim të shëndetshëm, ndotja e ajrit dhe mungesa e aktivitetit fizik,” tha Dr. Hans Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Evropën, në një deklaratë.
Evropianët konsumojnë më shumë alkool se çdo rajon tjetër në botë, me një mesatare prej 8.8 litrash për të rritur në vit – afërsisht 733 deri në 880 pije standarde në vit. Konsumi i alkoolit është më i lartë në vendet e BE-së dhe më i ulët në Azinë Qendrore.
Ai është përgjegjës për një në çdo 11 vdekje në rajon, sipas raportit.
Po ashtu, përdorimi i duhanit është në nivele të larta, rreth 25 për qind, dhe rajoni nuk është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e uljes së përdorimit të duhanit me 30 për qind deri këtë vit, tha OBSH-ja.
Ndërkohë, obeziteti, i cili mund të çojë në një rrezik të shtuar për diabet dhe sëmundje të zemrës, është në rritje në rajon, me gati një të katërtën e të rriturve që jetojnë me të.
Të rinjtë ‘më të vetmuar’ se më parë
Një në pesë adoleshentë në rajon po përballet me probleme të shëndetit mendor, me vetëvrasjen që është një nga shkaqet kryesore të vdekjes midis të rinjve të moshës 15 deri 29 vjeç, sipas raportit.
“Në botën tonë të lidhur në internet, të rinjtë tanë, ironikisht, ndihen më të vetmuar se kurrë më parë, me shumë prej tyre që luftojnë me peshën dhe vetëbesimin, duke i përgatitur për një shëndet të dobët si të rritur,” tha Kluge në një deklaratë.
Raporti trajtoi edhe çështje të tjera shëndetësore në Evropë, duke vënë në dukje se ndonëse rajoni ka norma relativisht të ulëta të vdekshmërisë amtare, ato kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2015.
Gjithashtu, raporti bëri thirrje për mbylljen e hendekut të gjerë midis vendeve për vdekjet e parandalueshme të fëmijëve dhe vuri në dukje se Evropa është rajoni që po ngrohet më shpejt në botë, me rreth 175,000 vdekje të lidhura me nxehtësinë çdo vit.
Kluge shtoi në një konferencë për shtyp se ndonëse njerëzit po jetojnë më gjatë, ata nuk janë domosdoshmërisht më të shëndetshëm dhe paralajmëroi se sistemet shëndetësore të Evropës “nuk janë më të përgatitura për emergjenca sot sesa ishin para pandemisë COVID-19”.
Ai theksoi se viruse si gripi i shpendëve, mpox dhe Marburg nuk njohin kufij dhe se “mbajtja e shëndetit në axhendën kryesore nënkupton bashkëpunim për të ndërtuar një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”. /Gazeta Shneta/




