Një studim i ri sugjeron se shëndeti i zorrëve mund të lidhet ngushtë me zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit. Studiuesit kanë zbuluar se ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve mund të shfaqen vite përpara se të dalin në pah simptomat klinike.
Ky zbulim mund të ndihmojë në identifikimin më të hershëm të personave me rrezik të lartë dhe në zhvillimin e strategjive parandaluese, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Interesi për mikrobiomën e zorrëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, pasi ajo është lidhur jo vetëm me tretjen dhe inflamacionin, por edhe me shëndetin mendor.
Kërkimet e fundit tregojnë gjithnjë e më shumë për një lidhje të fortë mes zorrëve dhe trurit. Në këtë kontekst, studiues nga “University College London”, analizuan lidhjen midis mikrobiomës së zorrëve dhe rrezikut për sëmundjen e Parkinsonit.
Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim neurodegjenerativ që prek lëvizjen dhe mund të çojë edhe në demencë. Edhe pse ekzistojnë trajtime për menaxhimin e simptomave, aktualisht nuk ka kurë, dhe sëmundja përparon me kalimin e kohës. Për këtë arsye, identifikimi i shenjave të hershme është thelbësor.
Në studim u analizuan tre grupe pjesëmarrësish: persona të diagnostikuar me Parkinson, individë me rrezik gjenetik (GBA1) pa simptoma, dhe persona të shëndetshëm.
Përmes analizës së mostrave të jashtëqitjes, studiuesit identifikuan llojet dhe nivelet e mikrobeve në zorrë, duke kërkuar modele të lidhura me rrezikun ose progresin e sëmundjes.
Rezultatet treguan dallime të qarta në mikrobiomën e zorrëve midis personave me Parkinson dhe atyre të shëndetshëm.
Rreth 25% e mikrobiomës shfaqen ndryshime të konsiderueshme. Për më tepër, këto ndryshime ishin më të theksuara tek pacientët me faza më të avancuara të sëmundjes.
Një zbulim i rëndësishëm ishte se disa individë me rrezik gjenetik, por pa diagnozë, që shfaqnin simptoma jo-motorike, kishin profile të mikrobiomës të ngjashme me pacientët me Parkinson.
Kjo sugjeron se ndryshimet në zorrë mund të fillojnë shumë herët, duke shërbyer si një tregues i mundshëm paralajmërues. /Gazeta Shneta/


