Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleaurat Sejdiu tha për Euronews Albania, se për aq kohë sa mjekët dhe infermierët mund të konsiderohen heronj në këtë periudhë pandemie, kërkesa e tij për rritjen e pagës nuk është aspak e çuditshme.
Sejdiu tha se rrogat e tyre janë të përcaktuara nga një skemë shabllon, pa marrë parasysh punën që bëjnë. Sipas tij, ky është një problem social i cili ka çorientuar edhe vetë personelin shëndetësor.
“Shumica e qeverive në të kaluarën dhe kjo e tanishme është shumë më komode të shtyje agjendën e vet të koncentrimit vetëm për çështjet financiare, gjë që nuk është korrekte”, – u shpreh ai.
I pyetur se cila është ajo ndërhyrje emergjente që duhet bërë për të përmirësuar kushtet në sistemin shëndetësor, z. Sejdiu iu referua fillimisht qeverisë dhe organizatave profesionale, siç janë sindikatat apo odat e profesionistëve. Ai shtoi se përmirësimi i kushteve të punës dhe mundësimi i kushteve optimale për ofrimin e shërbimeve kualitative do të ishte pikënisja për përmirësimin e sistemit shëndetësor.
“Janë absurde diskutimet që bëhen tani si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ‘fronti i parë, fronti i dytë’, nuk ka asnjë front të parë apo të dytë në këtë kohë pandemie. Të gjithë janë të angazhuar. Këto janë manipulime politike për të menaxhuar financiarisht apo të mos prekur sistemet politike nga ana financiare”, – tha z. Sejdiu.
Në Kosovë janë mbi 55 mjekë të infektuar dhe nisur nga kjo, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës kërkoi jo vetëm rritjen e pagës për personelin shëndetësor, por edhe përmirësimin e kushteve të punës apo trajnimeve paraprake.