Menaxhimi i tensionit të gjakut gjatë shtatzënisë mund të luajë një rol kyç në shëndetin e nënës dhe të foshnjës, sipas një studimi të ri shkencor. Hulumtimi, i publikuar më 14 janar në revistën “BMC Medicine”, tregon se edhe një rritje e vogël e tensionit sistolik (numri i sipërm i matjes së tensionit) lidhet me rreziqe të shtuara për komplikacione serioze.
Studiuesit zbuluan se një rritje prej vetëm 10 mmHg e tensionit sistolik tek gratë shtatzëna shoqërohet me rritje të ndjeshme të rrezikut për lindje të parakohshme, diabet gestacional, lindje të induktuar dhe nevojë për shtrim të foshnjës në njësinë e kujdesit intensiv neonatal (NICU). Gjithashtu, rritet mundësia që foshnja të lindë me peshë të ulët ose të jetë më e vogël se sa pritet për moshën gestacionale, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studimi u bazua në të dhënat gjenetike të mbi 1 milion grave evropiane, rreth 715 mijë prej të cilave kishin kaluar një shtatzëni.
Rezultatet treguan se rreziku për lindje të parakohshme rritej me 12%, ndërsa gjasat për peshë të ulët në lindje rriteshin deri në 33%. Në të njëjtën kohë, rritej probabiliteti për ndërhyrje mjekësore gjatë lindjes.
Sipas studiuesve, këto gjetje janë veçanërisht të rëndësishme në një kohë kur mosha mesatare e nënave dhe obeziteti janë në rritje, duke bërë që gjithnjë e më shumë gra shtatzëna të përballen me tension të lartë.
Ata theksojnë se ulja dhe kontrolli i tensionit të gjakut gjatë shtatzënisë mund të sjellë përfitime të gjera për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, megjithëse nevojiten studime të tjera për të përcaktuar strategjitë më të mira të trajtimit dhe parandalimit. /Gazeta Shneta/


