Lexoni më shumë për të kuptuar rreth udhëzimeve paraprake që ju ndihmojnë në mbrojtjen e fëmijës suaj gjatë shëtitjes.
Në disa kultura, grave u kërkohet të qëndrojnë brenda shtëpisë për të paktën një muaj para se të mund të nxjerrin fëmijët e tyre jashtë. Dhe disa mjekë mund t’ju kërkojnë të prisni një ose dy muaj para se ta bëni këtë. Kjo bëhet për të zvogëluar ekspozimin e foshnjës tuaj ndaj mikrobeve dhe patogjenëve pasi sistemi i tyre imunitar nuk është aq i fortë sa i yni. Meqenëse nuk ka rregulla mjekësore të përcaktuara se kur mund ta nxirrni të porsalindurin jashtë, atëherë ndjehuni të lirë për ta bërë këtë gjë kur të jeni gati. Marrja e ajrit të freskët dhe rrezet e diellit mund të jenë të mira për ju dhe fëmijën tuaj.
Sidoqoftë, ka disa udhëzime dhe masa paraprake që duhet të ndiqni për të mbrojtur fëmijën tuaj nga elementët e jashtëm të cilët janë të dëmshëm.
1)Shmangni vendet e mbushura me njerëz
Është më mirë të shmangni turmat e mëdha gjatë javëve fillestare të jetës së fëmijës suaj, pasi ata janë më të prirur për të marrë mikrobet nga një turmë e madhe njerëzish. Bebet janë të parezistueshme edhe për të huajt. Kështu që këta njerëz mund të duan të prekin ose të mbajnë fëmijën tuaj. Është ide e mirë të shmangni qendrat tregtare apo pishinat dhe në vend të kësaj mund të dilni për një shëtitje të qetë në park.
2)Visheni sipas motit.
Pavarësisht nëse është pranvere, verë, vjeshtë, apo dimër, sigurohuni që foshnja juaj të jetë e veshur mire sipas motit. Kjo vlen edhe për mamanë. Kujdesuni për shëndetin tuaj që të mund të kujdeseni për fëmijën. Sigurohuni që foshnja juaj të mos ketë shumë nxehtë apo shumë ftohtë. Nënat kanë tendencë të zhveshin apo të veshin më shumë se sa duhet fëmijën. Ideja është që të vendosni të njëjtën shtresë veshjesh mbi fëmijën si për veten tuaj. Nëse është kohë me diell, mos e ekspozoni foshnjën tuaj në rrezet e diellit. Vendosuni një kapelë ose hije për t’i mbrojtur ata nga dielli. Kur dilni jashtë gjatë dimrit është mirë që të vishni një shtresë tjetër veshjesh për ta mbajtur fëmijën më të sigurt.
3)Përgatituni.
Nëse po planifikoni një shëtitje më të gjatë, paketoni të gjitha gjërat thelbësore. Kjo përfshin një palë veshje shtesë, pelena shtesë dhe furnizime ushqyese. Në këtë mënyrë ju përgatiteni kur fëmija juaj të ketë uri ose duhet të ndërrojë pelenën.
4)Kontrolloni motin para se të dilni jashtë
Ne përmendëm më sipër veshjen e fëmijës sipas motit, po çfarë ndodh kur moti është shumë i nxehtë ose shumë i ftohtë për foshnjën tuaj delikate? Në të tilla raste është më mirë që të mos dilni jashtë.
5)Minimizoni ekspozimin e foshnjës ndaj mikrobeve
Një mënyrë për të kontrolluar ekspozimin e foshnjës tuaj ndaj mikrobeve është duke shmangur vendet e mbushura me njerëz. Mënyra tjetër është të jeni pak më të drejtpërdrejtë me njerëzit që po prekin fëmijën tuaj. Nëse dikush është me grip ose ka rrjedhje hundësh, kërkojuni të mos e prekë fëmijën pasi është me grip. Mund t’u kërkoni edhe njerëzve të tjerë që të lajnë duart para se të prekin fëmijën.
6)Kujdesuni për beben kur të ktheheni në shtëpi
Pasi të ktheheni në shtëpi, lani duart e foshnjës tuaj. Foshnjat shpesh i vendosin duart në gojë, dhe kështu mund të transferojnë mikrobet. Mos harroni të lani duart tuaja për të shmangur transmetimin e mikrobeve, veçanërisht nëse keni vizituar një qendër tregtare apo një dyqan ushqimesh.
Foshnjat janë qenie delikate që kërkojnë mbrojtje dhe masa paraprake nga ana juaj. Ne e dimë rëndësinë e ajrit të pastër si për nënën ashtu edhe për fëmijën. Bërja e këtyre hapave të nevojshëm siguron që të mund të bëni një shëtitje me të porsalindurin tuaj pa u shqetësuar për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Është e rëndësishme të siguroheni që vaksinat e foshnjës tuaj janë bërë sipas kohës gjithashtu. Nëse fëmija juaj ka lindur para kohe ose ka ndonjë sëmundje që ndikon në sistemin e tyre imunitar, sigurohuni që së pari të bisedoni me një pediatër para se të dilni me fëmijën tuaj./pernenat