Anemia e lidhur me shtatzëninë është një fenomen i zakonshëm sidomos në tre-mujorin e dytë dhe të tretë; Trupi ka nevojë për hekur dhe vitamina të tjera që të rrisë prodhimin e qelizave të kuqe të reja
Dr. Blerina Koprencka
Pothuajse gjithmonë ekziston një lidhje midis shtatzënisë dhe anemisë. Anemia ndodh kur ju nuk keni mjaftueshëm rruaza të kuqe në trup ose rruazat e kuqe nuk kanë mjaftueshëm hemoglobinë (proteina që merr O2 nga mushkëritë dhe e shpërndan në gjithë trupin).
Pa hemoglobinë të mjaftueshme trupi e ka të vështirë të oksigjenojë si duhet qelizat e tij. Por mos u shqetësoni: anemia e lidhur me shtatzëninë është një fenomen i zakonshëm sidomos në tre-mujorin e dytë dhe të tretë. Me kujdesin e duhur ju mund të vazhdoni të keni një shtatzëni të shëndetshme.
Shkaku i anemisë në shtatzëni
Kur jeni shtatzënë volumi i gjakut në trupin tuaj rritet rreth 50% në mënyrë që të plotësojë nevojat tuaja dhe të fëmijës që po rritet. Kjo ul përqendrimin e hemoglobinës në gjak. Trupi ka nevojë për hekur dhe vitamina të tjera që të rrisë prodhimin e qelizave të kuqe të reja.
Niveli i ulur i këtyre elementëve në depot e organizmit ngadalëson prodhimin e rruazave të kuqe dhe për pasojë vështirësohet oksigjenimi adekuat. Rezultati: një nënë shtatzënë e lodhur. Në pjesën më të madhe të rasteve, anemia shkaktohet nga mungesa e hekurit si në depot ashtu dhe në dietën e nënës para apo gjatë shtatzënisë.
Më pak e zakonshme është që të shkaktohet nga: deficiti i vitaminës B12 apo i acidit folik, nga hemorragjitë, nga sëmundje të tjera shoqëruese si sëmundjet e veshkave, çrregullime imune apo sëmundje të tjera hereditare si; talasemia apo drepanocitoza etj. Pra, që të kuptohet cili është shkaku i anemisë, është i domosdoshëm konsultimi me mjekun Hematolog si dhe me mjekun tuaj Obstetër-Gjinekolog.
Rreziqet
Rrallë ndodh që anemia gjatë shtatzënisë të sjellë probleme te fëmijët, sepse fëmija merr gjithë rezervat vitaminike të nënës për t’u zhvilluar. Megjithatë në qoftë se anemia lihet e patrajtuar, ajo mund të thellohet, duke krijuar kështu vështirësi në rritjen e fëmijës dhe njëkohësisht edhe në shëndetin e nënës , ndaj është e rëndësishme të diagnostikohet dhe kurohet në kohë.
Efektet negative te fëmija: Shëndeti dhe zhvillimi; Peshë më e vogël trupore; Defekte të tubit neural (në rastin e defiçitit te acidi folik).


