Deputeti i LVV-së Mirsad Shkreta i ka bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi, që të marr masa ndaj Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Shkreta ka bërë thirrje kështu pasi sipas tij Bordi i SHSKUK-së ka bërë shkelje ligjore në disa raste, shkruan Gazeta Shneta.
“Raporti i Auditorit flet për një mal shkelje në administratë. Pyteni Bordin dhe Drejtorin a ka vetëm një masë disiplinore. Krejt ky diskutim është mundua me u pasqyrua për ndikim të deputetëve. Nëse këtë e quani ndikim, unë nuk e di se çfarë duhet të flasim tjetër. Dikush e ka quajtur interes personal, dikush interes i koalicionit”, ka deklaruar Shkreta.
Deputeti i VV-së poashtu ka kritikuar edhe vazhdimin e mandatit të drejtorit financiar.
“Atëherë nuk po merremi me emra konkret. Por si institucion me obligime ligjore dhe nëse nuk janë zbatuar. Pra ligjshmërinë e veprimeve të SHSKUK-së është përgjegjëse Ministria. Aq më tepër që nëse konstatohet se ka shkelje me auditim, atëherë i rekomandon Qeverisë zëvendësim”, ka deklaruar Shkreta tutje.
Ai ka thënë se nuk e di nëse do t’ia dal me kritikat dhe kërkesat që i ka, por ka deklaruar se nuk do të ndalet deri në fund me të gjithë mekanizmat ligjor dhe kushtetues.
Shkreta ka deklaruar se në takim me Bordin Drejtues i ka kërkuar listën e shërbimeve që kryhen në spitale, por sipas tij ky organ nuk e ka pasur të gatshme. Madje ai ka thënë se Bordi nuk ka pasur as plan pune.
Ai ka shtuar se SHSKUK ka nisur një procedurë dhe ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e spitalit hematologjik, pa marr leje fare për ndërtimin e këtij spitali.
Shkreta ka ngritur pyetje edhe për mirëmbajtjen e shtrenjtë të laurave që sipas tij kontrata i kushton QKUK-së 160 mijë euro për tri laura. /Gazeta Shneta/