Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Redoni” në vlerë 737 mijë euro për blerjen e kontrastit jo-jonik.
Kompania “Redoni HM SHPK” do ta furnizojë Shërbimin Spitalor Klinik Universitar me dy vjetët e ardhshme me kontrast jo-jonik, shkruan Gazeta Shneta.
Ky shërbim buxhetit të SHSKUK-së do t’i kushtojë hiq më pak se 737 mijë euro për furnizim me kontrast 350-400 mg jod/ml me dozë vëllimi deri në 200 ml. Çmimi për mililitër i ka kushtuar SHSKUK-së 11 cent.
Kontrata me këtë kompani është nënshkruar nga Shefi i Prokurimit Selami Krasniqi, drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi si dhe menaxheri i kompanisë “Redoni” Leutrim Hamza.
Kompania “Redoni HM SHPK” sipas regjistrimit në ARBK figuron në emër të Mentore Muratit. E njëjta kompani nga viti 2018 deri më sot ka fituar 29 kontrata me SHSKUK-në në vlerë 1,412,418.46 Euro. /Gazeta Shneta/