Siguria ushqimore është thelbësore për të gjithë, por bëhet edhe më e rëndësishme gjatë shtatzënisë. Ndryshimet hormonale gjatë kësaj periudhe ndikojnë në sistemin imunitar të gruas shtatzënë, duke e bërë atë më të ndjeshme ndaj infeksioneve që vijnë nga ushqimi, siç është listeria.
Dr. Nipunie Rajapakse, specialiste e sëmundjeve infektive pediatrike në Klinikën Mayo, paralajmëron se shumë ushqime të konsumueshme gjatë verës mund të përmbajnë rrezik të shtuar për këtë infeksion bakterial.
Listeria transmetohet përmes ushqimeve të kontaminuara dhe është veçanërisht e rrezikshme për gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar transmeton Gazeta Shneta.
Rreziku më i madh për shtatzënat është se infeksioni mund të transmetohet tek foshnja ende pa lindur. Ushqime si sallamet, hot dogët dhe madje edhe akullorja mund të jenë burim i listerisë. Edhe sallatat e paketuara, që zakonisht konsiderohen të shëndetshme, kanë qenë të përfshira në shpërthime të raportuara viteve të fundit.
Për të reduktuar rrezikun, rekomandohet që mishrat dhe hot dogët të gatuhen mirë në temperatura të larta, frutat dhe perimet të lahen me kujdes dhe të ndiqen njoftimet për shpërthime të mundshme.
Simptomat e listerisë përfshijnë ethe, të vjella, diarre dhe dhimbje barku. Tek gratë shtatzëna mund të paraqiten si grip: me dhimbje trupi, kokë, kyçesh dhe ndjenjë lodhjeje.
Kujdesi në zgjedhjen dhe përgatitjen e ushqimit është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe foshnjën gjatë shtatzënisë. /Gazeta Shneta/


