Shumë gra që përballen me infertilitet zgjedhin fekondimin in vitro (IVF) si metodë të asistuar të konceptimit. Ky proces përfshin nxjerrjen e vezëve nga vezoret, përzierjen e tyre me spermën dhe futjen e embrioneve direkt në mitër. Për shkak të natyrës së veçantë të procedurës, gratë shpesh pyesin se si ndryshon shtatzënia me IVF nga ajo natyrale.
Lajmi i mirë është se një shtatzëni e arritur përmes IVF nuk konsiderohet automatikisht rrezik i lartë. Sidoqoftë, disa gra mund të kenë kushte të mëparshme, si mosha e përparuar ose histori aborti, që e bëjnë të rekomandueshme ndjekjen nga një perinatolog – një mjek i specializuar në kujdesin për nënën dhe fetusin në raste me rrezik për komplikime, shkruan Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Simptomat e shtatzënisë me IVF janë të ngjashme me ato të shtatzënisë natyrore.
Megjithatë, gratë që konceptojnë përmes kësaj teknike shpesh janë më të vetëdijshme për ndryshimet në trupin e tyre, duke shkaktuar ndonjëherë ankth ose stres.
Gjithashtu, ilaçet për fertilitet, që përdoren për të stimuluar prodhimin e vezëve, mund të shkaktojnë efekte të ngjashme me simptomat e shtatzënisë, si dhimbje koke, dhimbje barku, luhatje humori dhe afshe të nxehta.
Në raste të rralla, këto efekte mund të tregojnë sindromën e hiperstimulimit të vezoreve, e cila kërkon vëmendje mjekësore.
Kontaktoni mjekun tuaj nëse keni rritje të papritur të peshës, dhimbje barku, ënjtje, vjellje, gulçim ose marramendje.
Kujdesi i rregullt mjekësor dhe monitorimi i simptomave ndihmon në mbajtjen e një shtatzënie të shëndetshme. /Gazeta Shneta/


