24 mijë euro Qeveria e Kosovës ka paguar për katër përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore gjatë këtyre 11 muajve të fundit shkruan Gazeta Shneta.
Shkruan: Diellza Luzha
Kah mesi i këtij muaji bëhen një vit që Bordi Drejtues i Fondit për Sigurime Shëndetësore nuk është funksional dhe si pasojë e kësaj nuk është mbajtur asnjë takim nga ky bord.
Pavarësisht mungesës së takimeve e dështimit të Qeverisë për të siguruar kryesuesin njëherish përfaqësuesin e Ministrisë së Shëndetësisë si dhe përfaqësuesit e dy ministrive tjera, asaj të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale, shteti ka paguar për katër anëtarët e këtij bordi.
Rrezart Halili përfaqësues i Odave të Profesionistëve Shëndetësorë, Bujar Gashi, përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, Murat Berisha, përfaqësues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës tash e 11 muaj kanë marrë pagën mujore nga 750 euro, ndonëse nuk është mbajtur asnjë takim nga ky bord.
Në këtë listë nuk bënë pjesë Muhamedali Kodra, përfaqësues nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës. Ai ka hequr dorë nga paga më 31 maj të vitit të kaluar, pas dy muajve nga mos funksionimi i bordit.
“Nuk e kam parë të denjë që të paguhem duke mos mbajtur asnjë takim”, thotë Kodra për Gazetën Shneta.
Mungesa e Bordit Drejtues në këtë Fond ka bërë që të penalizohet puna në përgjithësi e këtij fondi. Me bord “gjysmakë” Fondi nuk mund të miratoj as planin vjetor dhe as raportet e punës.
Këtij bordi i duhet t’i sigurohet një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe një përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
‘Papërgjegjësia e Qeverisë’
Për shkak të “ngecjes” në formimin e Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherish anëtar i komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu, thotë se për këtë dëm buxhetor përgjegjësia bie në Qeverinë e Kosovës.
Ai thekson se “dëmi jo vetëm që është bërë në aspektin financiar dëmi është bërë edhe në aspektin shëndetësorë, pra për mungesë të kujdesit dhe mbështetjes së pacientëve fajtor kryesor është Qeveria”, shprehet ai për Gazetën Shneta, përderisa thekson se një qasje e tillë tregon më shumë për raportin e Qeverisë karshi sistemit shëndetësorë në vend.
Gazeta Shneta ka adresuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë si dhe ka tentuar të marrë një deklaratë nga kryesuesja e komisionit për shëndetësi dhe mirëqenje sociale, Fatmire Kollqaku, mirëpo asnjëra palë nuk kanë qenë të qasshëm.
Në njërën nga mbledhjet e komisionit për shëndetësi të mbajtur në fund të dhjetorit të vitit paraprak, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, pati thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore dhe Sistemi Informativ Shëndetësorë janë njëri ndër prioritet e tij gjatë mandatit katër vjeçar.
Për dështimin e dy ministrave të shëndetësisë për të formuar bordin e FSSh-së, gazeta pati shkruar ditë më parë. /Gazeta Shneta/
Dështimi i dy ministrave të shëndetësisë për të formuar bordin drejtues të FSSh-së