Shteti i Kosovës ka paguar dhjetëra miliona euro për shërimin e pacientëve jashtë, ndërsa edhe 15 milionë Euro i kanë mbetur borxh.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore deri në fund të vitit të kaluar ka pasur borxhe mbi 30 milionë euro ndaj institucioneve private shëndetësore në Kosovë dhe vendet tjera. Shuma më e madhe e këtyre milionave kanë shkuar jashtë Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Vetëm në Turqi Kosova ka paguar rreth 18 milionë Euro spitaleve në Stamboll. Këto borxhe janë paguar me një buxhet prej 15 milionë Euro që Qeveria ia ka alokuar FSSh-së në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkaq edhe tetë milionë euro janë paguar nga buxheti i FSSh-së.
Gazeta ka mësuar se këto borxhe janë paguar me një marrëveshje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve private. Këto të fundit kanë pranuar që të bëjnë një zbritje të borxhit deri në tetë përqind, ndërsa MSh do t’ua paguante së paku 50 për qind të borxhit. Mbi 20 milionë Euro borxhe kanë shkuar jashtë Kosovës.
Gazeta ditë më parë ka raportuar për pagesat e borxheve ndaj klinikave në Turqi, ndërsa më poshtë do të sjellim edhe klinikat në vendet e rajonit, Evropës dhe në Kosovë. Vetëm në vendet e rajonit Kosova i ka paguar klinikave private mbi 1.8 milionë Euro borxhe. Më së shumti kanë përfituar Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Kosova ka paguar edhe një institucion në Serbi në vlerë mbi 2 mijë euro.
Sipas raportit të punës Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i kanë mbetur obligime ndaj klinikave private edhe mbi 15.2 milionë Euro. Këto borxhe janë nga fletzotimet e lëshuara, dhe rasteve tjera të vendosura ose në pritje për shqyrtim nga Bordi i programit për Trajtim jashtë vendit.
FSSh pagoi borxhe mbi 23 milionë Euro në vitin 2023, afër 18 milionë spitaleve në Turqi