Shtatë nga 13 kirurgët torakalë nuk kanë kryer më shumë se 30 operacione me anestezion të përgjithshëm secili nga një janari deri më 30 nëntor. 13 kirurgët i kanë kryer 461 intervenime
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK punojnë 13 specialistë të kirurgjisë. Nga një janari deri më 30 nëntor të vitit 2022, ata së bashku kanë kryer 461 operacione me anestezion të përgjithshëm, shkruan Gazeta Shneta.
Drejtori i kësaj klinike ka kryer më së shumti operacione me anestezion të përgjithshëm, gjithsej 71 sosh, 4 si asistent dhe 14 intervenime në sallën e vogël me anestezion lokal.
Pas tij është kirurgu Fitim Selimi me 68 operacione me anestezion të përgjithshëm, 13 si asistent dhe 5 intervenime në sallën e vogël.
Kirurgët Avni Behluli dhe Bedri Osmani kanë kryer nga 44, respektivisht 41 operacione me anestezion të përgjithshëm.
Ndërkaq pjesa tjetër e kirurgëve kanë kryer rreth 30 ose më pak intervenime me anestezion të përgjithshëm.
Operacione me anestezion total, asistime dhe intervenime në sallën e vogël, kirurgët torakal kanë kryer gjithsej 720 sosh gjatë 11 muajve të vitit të kaluar.
Në performancën e kirurgëve torakal janë llogaritur edhe drenazhat torakale të cilat në total i kanë vendosur tek 338 pacientë.
Publikimi i listës së performancës së kirurgëve torakalë është bërë në kuadër të serisë së artikujve të Gazetës Shneta me publikimin e listave të specialistëve të QKUK-së. Këto lista janë siguruar përmes kërkesës në qasje të dokumenteve publike dhe ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, pasi SHSKUK nuk i ishte përgjigjur fillimisht gazetës sipas afatit ligjor.
Deri më tani janë publikuar listat e performancës së Kirurgjisë Abdominale dhe Kirurgjisë Vaskulare. /Gazeta Shneta/
Numri i operacioneve të kirurgëve në QKUK, dikush 99 e dikush vetëm nëntë