Një studim i ri sugjeron se agjërimi afatshkurtër mund të ketë përfitime për shëndetin oral, duke ndihmuar në uljen e inflamacionit të lidhur me sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore “Journal of Clinical Periodontology”, zbuloi se personat me sëmundje të mishrave të dhëmbëve që ndoqën një regjim të kontrolluar agjërimi shfaqën nivele më të ulëta të inflamacionit krahasuar me ata që nuk agjëruan.
Studiuesit nga King’s College London përfshinë në studim 28 pacientë me sëmundje periodontale në Spanjë.
Gjysma e pjesëmarrësve u caktuan rastësisht të ndiqnin një program agjërimi pesëditor, i cili përfshinte konsumimin e 1.100 kalorive në ditë për dy ditë dhe 750 kalorive në ditë për tri ditët pasuese.
Ky cikël u përsërit tri herë gjatë një periudhe gjashtëmujore.
Pas përfundimit të studimit, analizat e gjakut dhe të lëngut që gjendet mes dhëmbit dhe mishit të dhëmbit treguan se pacientët që kishin agjëruar kishin më pak shenja të inflamacionit.
Sipas studiuesve, një nga arsyet e mundshme është se agjërimi ndihmon në uljen e stresit oksidativ në organizëm, një proces biologjik që lidhet me inflamacionin dhe dëmtimin e qelizave.
Po ashtu, kufizimi i ushqimeve me shumë kalori dhe karbohidrate të rafinuara, si ëmbëlsirat, biskotat dhe produktet e përpunuara, mund të ndikojë në zvogëlimin e proceseve inflamatore në organizëm.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se agjërimi mund të ketë ndikim pozitiv në mikrobiomën e organizmit, pra në komunitetin e baktereve që luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit oral dhe të përgjithshëm./Gazeta Shneta/


