Një startup portugez ka zhvilluar një llambë inteligjente që përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar krizat epileptike dhe për të dërguar sinjalizime kujdestarëve.
Llamba “Lampsy” është projektuar për të zbuluar krizat me mbi 99% saktësi dhe me shumë pak alarme të rreme krahasuar me zgjidhjet ekzistuese. Në testimet fillestare, pajisja ka qenë në gjendje të komunikojë edhe me autoritetet lokale të shëndetësisë, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), epilepsia prek rreth 50 milionë njerëz në mbarë botën. Për këtë arsye, drejtuesit e Lampsy Health theksojnë se pajisja mund të përmirësojë ndjeshëm jetën e pacientëve dhe të kujdestarëve, veçanërisht gjatë natës.
Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv, Vicente Garção, thotë se llamba redukton “barrën emocionale” të epilepsisë, pasi dërgon paralajmërime në kohë reale, duke njoftuar prindërit ose familjarët në momentet e rrezikut.
Sipas tij, shumë fëmijë me epilepsi janë të detyruar të flenë me prindërit edhe në moshë të rritur, gjë që ndikon negativisht në mirëqenien e familjes.
Studimet tregojnë se rreth 86% e krizave epileptike gjatë natës kalojnë pa u vënë re, me pasoja të rënda që mund të përfshijnë edhe vdekjen e papritur (SUDEP).
Lampsy synon t’i përgjigjet këtij rreziku përmes një qasjeje jo ndërhyrëse dhe të fokusuar te privatësia: ndonëse pajisja mund të kapë imazhe, funksioni i kamerës mund të çaktivizohet, duke siguruar që asnjë video të mos ruhet apo shpërndahet.
Lampsy Health ka tashmë bashkëpunime me spitale publike në rajonin e Lisbonës që monitorojnë epilepsinë, por pajisja ende nuk është në shitje.
Kompania planifikon ta lancojë në tregun europian në prill 2026, dhe mbi 5,000 familje janë tashmë në listën e pritjes. /Gazeta Shneta/


